Gazeta Telegraf: Intervistë me Gerti Bogdanin Intervistë me Gerti Bogdanin ================================================================================ Fitnete Bitri on 27/01/2012 17:27:00 Reforma zgjedhore, grupet e interesit dhe pjesëmarrja e grave. Arritjet në 100-vjetorin e shtetit shqiptar Për deputetin e Partisë Demokratike, Gerti Bogdani viti 2012, është shumë i rëndësishëm, për shkak të disa ngjarjeve që ka, duke filluar që nga rëndësia historike që shënohet 100 vjetori i Pavarësisë. Po ashtu një ngjarje me rëndësi që pritet të zhvillohet këtë vit është dhe marrja e statusit, kandidat që sipas zotit Bogdani, do të jetë një dhuratë shumë e mirë për shqiptarët, të cilin e kanë merituar më parë, por për shkak të opozitës, statusi është refuzuar. Në një intervistë për “Telegraf”, ka komentuar dhe disa ngjarje të tjera që pritet që të ndodhin në 2012, siç janë ndërtimet që priten të bëhen si parlamenti, apo dhe në infrastrukturë. Përsa i përket reformës zgjedhore ai e ka vlerësuar si një punë që po bëhet me hapa të ngadalshëm, por që ajo që ka më shumë rëndësi është që të bëhen dhe ndryshimet e duhura dhe të dëgjohen grupet e interesit. -Zoti Bogdani, sa optimizëm ju jep viti 2012, për zhvillime pozitive, pasi është i mbushur me shumë ngjarje të rëndësishme? -Besoj që ky vit do të jetë shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, pasi për shqiptarët viti që ka filluar është me një simbolikë shumë të veçantë pasi shënon 100 vjetorin e shtetit shqiptar. Po ashtu në këtë vit shpresoj dhe urojë që të ndodhin një nga zhvillimet më të rëndësishme, që do të jetë marrja e statusit të vendit kandidat. Pra, kjo nënkupton përmbushjen e 12 kritereve që na janë përcaktuar nga Bashkimi Europian. Për këtë jemi duke punuar së bashku me opozitën dhe urojmë që ky bashkëpunim të vazhdojë deri në fund të plotësimit të këtyre kritereve. Besojmë që marrja e statusit për Shqipërinë do të dhe një dhuratë e mirë për të tërë shqiptarët. Pasi kjo është një e drejtë që shqiptarët e kanë merituar prej disa vitesh, por që është mohuar dhe nga sjellja e opozitës në dy vitet e fundit. E dimë që kjo ka qenë një pengesë serioze, për shkak të diskursit që ndoqi opozita shqiptare, për shkak të protestave, por urojmë që ta bëjmë realitet këtë vit me punë, pasi do të ishte me të vërtet një dhuratë shumë e mirë për shqiptarët. -Maxhoranca me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë, premtoi se do të bëhen investime të mëdha, a do të bëhen realitet këto premtime, a janë mundësitë financiare pasi dihet që kriza mund të japi ndikimin e saj? -Besoj që po, pasi këto janë projekte madhore dhe nuk mund të realizohen brenda ditës. Ndër premtimet më të rëndësishme është parlamenti i ri, që është premtuar dhe që do të realizohet. Po ashtu ka dhe projekte të tjera që do të realizohen me rastin e këtij 100 vjetorit të rëndësishëm për shtetin shqiptar dhe për të tërë shqiptarët. Po ashtu unë do të thoja që edhe në këtë 100 -vjetor do të vazhdojnë që të realizohen edhe shumë projekte infrastrukturore. Unë do të thoja që projektet do të vazhdojnë që të jenë si vazhdim i punës së qeverisë që ka bërë deri më sot investime të mëdha në infrastrukturë. Do të shtoja këtu që maxhoranca po vazhdon që të realizojë premtimet që ka bërë, pasi shqiptarët tashmë e dinë që maxhoranca çdo premtim që ka bërë që kur ka ardhur në pushtet në 2005 deri më tani e ka mbajtur. Në një rrjedhë të tillë do jetë dhe për pjesën tjetër të mandatit që ka, pra do të vazhdojë që të përmbushë detyrat dhe premtimet që ka bërë. -Një ndër çështje e rëndësishme politike për 2012, është dhe bërja e reformës zgjedhore. Si po ecën puna për këtë reformë, pasi duket se po ecet me ritme të ngadalta? -Po puna për reformën zgjedhore ka filluar prej disa muajsh, ashtu sikurse është bërë e ditur nga media dhe nga përfaqësuesit që janë pjesë e kësaj reforme. Puna po ecën, por unë do të thoja që po ecën paksa me ritme të ngadalta. Realisht duhet që të zhvillohet një punë më e shpejtë, për shkak të kohës që është në dispozicion. Është shumë e rëndësishme që në bërjen e reformës, të dëgjohen grupet e interesit. Një çështje mjaft e rëndësishme është dhe pjesëmarrja e grave dhe ndryshimeve që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen dhe me përqindjen e gruas në politikë. Po ashtu edhe ambasadorët e ndryshëm dhe grupet e interesit janë shprehur në lidhje me këtë fakt. Po ashtu janë të rëndësishme më tej dhe rregullime të tjera të procedurës zgjedhore që ta përmirësojnë procedurën zgjedhore në Shqipëri. -Është folur dhe për ndryshim të sistemit zgjedhor, a do të bëhet realitet ky lloj ndryshimi? -Nuk besoj, sepse ne nuk mund ta ndryshojmë sistemin sa herë që do të ketë zgjedhje. Po ashtu dhe rekomandimet e OSBE-së, janë për përmirësime të sistemit dhe këtë e kemi treguar që në Shqipëri ne mund të bëjmë zgjedhje të mira, thjesht këtë ne duhet që ta përmirësojmë më tej.