Gazeta Telegraf: Rrëfehet Kryeprokurorja Rrëfehet Kryeprokurorja ================================================================================ Gazeta Telegraf on 27/01/2012 16:15:00 21 Janari/ Kryeprokurorja Ina Rama: “Garda fshehu provat. Telefonata me Topin, jo me Ramën” E ftuar në emisionin “Opinion” në televizionin Klan, kryeprokurorja Ina Rama shpjegoi se, Prokuroria e Përgjithshme iu drejtua FBI-së për hetimin e ngjarjeve të 21 janarit, për dy arsye, “së pari për nivel më të lartë profesional dhe për çështje kredibiliteti”. Kryeprokurorja nënvizoi se laboratori që merret me ekspertimet në Shqipëri është në varësi të Ministrisë së brendshme dhe për këtë arsye përfundimet e tyre mund të viheshin në dyshim. Sipas zonjës Rama, hetimi i ngjarjeve të 21 janarit nuk është i vonuar, pasi puna voluminoze kërkonte kohë. “Nuk mund të themi që është vonuar hetimi. Koha që ka marrë është e nevojshme për këtë hetim. Që në ditën kur ndodhi ngjarja, disa grupe pune u ngritën njëkohësisht. Është një punë voluminoze që kërkonte kohë. Në një moment të caktuar ne u detyruam në njëfarë mënyre të presim, pasi kërkuam ndihmë juridike në SHBA dhe për një kohë relativisht të konsiderueshme ishim në pritje të kësaj ekspertize”,- deklaroi kryeprokurorja Rama. E pyetur në lidhje me rrjedhjen e informacioneve nga institucioni i Prokurorisë dhe publikimi i tyre në media, kryetarja e organit të akuzës theksoi se, “rrjedhja e informacionit nuk është vetëm një problem i Prokurorisë. Edhe në vende të tjera rrjedhin informacione nga institucione të mëdha”. “Sa i takon ekspertizës së FBI-së kanë dalë të dhëna që imagjinoheshin pasi ishte proces i gjatë që kalon në disa institucione. Përgjithësisht që në momentin kur nisëm kërkesën diheshin çështjet që kërkoheshin”,- vijoi Rama. Kryeprokurorja Ina Rama theksoi se, ndërsa disa hetime po kryheshin nga FBI, rreth organizatorëve të ngjarjes Policia e Shtetit për disa muaj me radhë pas ngjarjeve të 21 Janarit nuk dha asnjë përgjigje për prokurorinë. “Policia e Shtetit pati kohën në dispozicion të bënte veprimet që çmonte të arsyeshme dhe të bënte akuzat ndaj kujtdo që kishte mbledhur. Janë bërë takime periodike të grupit të hetimit në çdo të hënë në orën 10:00. Në muajin korrik policia sugjeron pezullimin e hetimeve duke analizuar gjithçka është bërë, arsyeton dhe analizon e thotë nuk arrij të identifikoj organizatorët. Këtë e ka dërguar drejtori i Policisë së Tiranës në Prokurori. Ne kërkuam veprime të tjera dhe deri në javën e fundit të dhjetorit në pritje të fakteve që do prezantoheshin. Nuk patëm konkluzion nga policia për këtë dhe në momentin që flasim nuk kemi as këta tre deputetë që kemi kërkuar heqjen e imunitetit”. Insistimit nëse duheshin pyetur disa funksionarë të opozitës mes të cilëve edhe kreu i PS-së, Edi Rama për ato çka cilësohen deklarata nxitëse për dhunimin e rendit Kushtetues, Ina Rama ju përgjigj se, “mendoj që prokurorët që kanë trajtuar çështjen nuk kanë parë elementë të veprave penale. Për deklaratat e zotit Ngjela është bërë një referim për nxitje të dhunës dhe ajo kërkon veprime konkrete drejt individëve konkretë. Në Shqipëri ka një retorikë të ashpër dhe nëse do tërhiqeshim në hetime për këto raste të retorikësh i bie që politikën do e bënin prokurorët dhe jo politikanët”. E pyetur nëse kishte folur në telefon me zotin Edi Rama atë ditë të 21 janarit, Ina Rama tha se nuk ka folur asnjëherë në jetën e saj në telefon me kreun e opozitës. Pyetjes nëse ka folur për hetimin me presidentin Bamir Topi, ajo tha se ka folur disa herë për ta informuar, por nuk ka patur asnjë interesim, por vetëm kërkesë për përkushtim nga prokuroria. Prokurorja e Përgjithshme shpjegoi se termi “ngjarjet ne bulevard”, i përdorur nga organi i akuzës për 21 janarin, është një term ligjor që lidhet me vendin e ngjarjes. “Ngjarjet në bulevard është term ligjor, do përcaktosh vendin e ngjarjes. Ne si prokurorë kur flasim për ngjarjen themi se ku ndodhi ajo dhe ajo ndodhi në rrugë, në bulevardin Dëshmorët e Kombit”,- vijoi më tej zonja Rama. Duke ju referuar debatit mbi urdhrat e ndalimit të gjashtë efektivëve të Gardës në ditët pas 21 janarit kryeprokurorja tha se arrestimi u bë i shpejtë me 3 të parët që të mos kishin mundësi të manipulonin rrëfimet. “Ne bëmë verifikimet më pas dhe pamë që në fakt ai nuk ishte zinxhiri komandues i Gardës. Në 21 janar konstatuam disa ngjarje që kishin të bënin me një produkt kriminal. Kishim tre viktima dhe një i plagosur rëndë e gjashtë të plagosur. Kishim edhe afro 36 punonjës policie të lënduar. Patëm pamjet filmike që u transmetuan dhe plumbat që vinin nga brenda territorit. U këqyr pjesa jashtë territorit dhe nuk u gjet asnjë gëzhojë. Kishim deklaratën e një mjeku që tha se viktimat janë goditur me puthitje. Prokurorët konstatuan ushtarë të gardës duke mbledhur gëzhoja. Pamë se megjithëse dyshimet të çonin tek Garda kishte tendencë për manipulimin e hetimit, pamë refuzimin, mbledhjen e gëzhojave dhe arsyetimi që bëmë ishte kush ka qenë nga Garda në atë territor atë ditë. Pamë planin e masave të Gardës dhe këta individë ishin në krye të njësive të dislokuara në kryeministri. Pamë se këta kishin marrë përsipër të menaxhonin situatën në godinën e këshillit të ministrave. Duke pasur dyshimet se plumbat kishin ardhur nga garda, duke pasur dyshime se procesi nisi dhe po tentohej të manipulohej pamë të arsyeshme të pyesnim dhe të ndalonim gjashtë komandantët pa ju lënë mundësi të përpunonin një strategji për deklarimet që do të bënin. Duke parë që procesi po manipulohej ne morëm në pyetje gardistët në mënyrë që të mos manipuloheshin të dhënat, të mos të kishin kohë”. Kryeprokurorja foli edhe për çështjen e video-përgjimit, ku përfshihej kryetari i LSI-së Ilir Meta, duke theksuar se Prokuroria u tregua e kujdesshme që të mos ndikonte në fushatën zgjedhore. “Zoti Meta është njoftuar në datën 29 prill që të vinte në datë 2 maj për ti komunikuar aktin e ekspertimit. Ai e kishte të pamundur dhe u kërkua të vinte në datë 5 por ai ishte në fushatë dhe e kishte të pamundur të vinte sërish. Ndaj e thërritëm në datën 9 maj dhe kontrolluam me shumë kujdes që kjo të mos ndikonte tek zgjedhjet e datës 8 maj duke mos dashur të ndikojmë tek votimi”,- u shpreh zonja Rama.