Gazeta Telegraf: “Asnjë qindarkë e ardhur nga aktivitetet kriminale nuk duhet të përfitojë nga amnistitë fiskale” “Asnjë qindarkë e ardhur nga aktivitetet kriminale nuk duhet të përfitojë nga amnistitë fiskale” ================================================================================ Gazeta Telegraf on 08/03/2010 06:52:00 Intervistë me Arben Malaj, deputet i PS-së, ish- ministër i Financave Një prej problemeve që amnistia bart me vete është ai që njihet si “moral hazard”. Në vend që të japë efektin e dëshiruar, një amnisti e aplikuar keq dhe veçanërisht pa krijuar bindjen se është e para dhe e vetmja, shtron terrenin për shkelje të mëtejshme financiare, duke qenë se individët e bizneset binden se një ditë do të falen përmes një amnistie tjetër. Nga ana tjetër kemi kapitalet gri që vijnë nga informaliteti dhe kapitalet e zeza që vijnë nga krimi, ku përfshihen paratë e fituara nga tregtia e drogës, armëve e prostitucionit, ndërkohë që nuk mund të lemë pa përmendur edhe korrupsionin politik. Amnistia formalizon ekonominë gri dhe jo të ardhurat nga aktivitetet kriminale. Në ligjin e amnistisë ky moment duhet të jetë juridikisht shumë i qartë. Asnjë qindarkë e ardhur nga aktivitetet kriminale nuk duhet të përfitojë nga amnistitë fiskale. Ndërsa për të reduktuar riskun e debateve te mbinxehura politike duhen qartësuar kufizime për njerëzit me mandate politike dhe konflikte interesash. Ky është opinioni i Arben Malajt, deputet i Partisë Socialiste dhe ish- ministër i Financave në një intervistë dhënë për “Telegraf”. A është e domosdoshme amnistia fiskale që po nënvizohet me ngulm kohët e fundit, veçanërisht nga biznesi mbështetur dhe nga qeveria? Amnistia fiskale duhet parë në dy momente: së pari duhet marrë në konsideratë si rast për formalizimin e ekonomisë shqiptare dhe e dyta, mundësitë që ofron duke siguruar likuiditete dhe kapital të vështirë ekonomik. Do te ishte me e efektshme në qoftë se për amnistinë fiskale të diskutohej dhe të hidheshin hapa konkrete në një ambient më të qetë politik dhe ekonomik. Mendoj se, studimi i një mundësie të tillë duhet të ishte nisur në kushte normale ekonomike, gjë që do të krijonte mundësinë që amnistisë t’i garantohej gjithë ekspertiza dhe koha e nevojshme për t’u studiuar e vënë në zbatim. Vlerësoj se ka vend për ta marrë seriozisht në konsideratë aplikimin e amnistisë fiskale. Kjo nuk është e lehtë të mbështetet nga Ministra të Financave dhe drejtues të autoriteteve fiskale, për shkak të kostove dhe rreziqeve afatgjata që mund të sjellë një aplikim i nxituar dhe i gabuar i saj. Të mos harrojmë që sado të konsiderueshme të jenë të ardhurat nga amnistia fiskale, ato janë pak ose shumë pak në raport me pjesën korrekte të komunitetit të biznesit dhe borxhin tonë ndaj bizneseve që duke synuar të jenë sa më korrektë me detyrimet ligjore kanë pasur një kosto shtesë në konkurrencën e ekonomisë informale. Cilat duhet të jenë synimet primare të amnistisë fiskale? Nuk konsideroj amnisti ato që, ndonjëherë, shtypi përcjell si të tilla dhe nuk janë tjetër veç falje të detyrimeve të identifikuara, por të papaguara. Aty falet një detyrim i caktuar që ka të bëjë me krizë likuiditetesh ndërsa në rastin e një amnistie si kjo, për të cilën flasim, synohet të legalizohet ekonomia informale dhe të riatdhesohen të ardhura dhe fitime nga aktivitete informale jo kriminale që janë të depozituara jashtë vendit. Qëllimi në vetvete i amnistisë duhet të jetë pikërisht legalizimi i ekonomisë. Njëkohësisht duhet të shërbejë edhe për të riatdhesuar sasitë e konsiderueshme të likuiditeteve që mbahen jashtë vendit, qoftë edhe kur bëhet fjalë për paratë e emigrantëve. Sot ekspertët po qartësojnë se zhvillimi ekonomik i çdo vendi mund të mbështetet më mirë duke rritur dhe përdorur me më tepër efektivitet burimet e brendshme financiare. Formalizimi i kapitaleve informale i rrit këto burime. Duhet vlerësuar domosdoshmëria për legalizimin e çdo kapitali që mund të përdoret për të financuar ekonominë. Nga ana tjetër, legalizimi i fondeve brenda kufijve dhe riatdhesimi i atyre që qëndrojnë jashtë do të sillte edhe kapitale shtesë në sistemin tonë bankar, të cilat do të përdoreshin për të financuar biznesin. Kur kjo amnisti riatdheson nëpërmjet sistemit bankare likuiditete, bankat kanë më shumë burime të disponueshme për të kredituar ekonominë. Kur amnistia formalizon burime të kapitaleve të kompanive, bankat do të kenë më shumë kolateral në dispozicion çka do të thotë më shumë biznese mund të përfitojnë kredi, më shumë mundësi të rritura për të financuar ekonominë në tërësi. A është e lartë shkalla e informalitetit në Shqipëri? Është i pranuar fakti që shkalla e informalitetit në ekonominë e vendeve të Ballkanit është e lartë. Në vendin tonë në këtë shkallë të lartë ndikojnë disa faktorë, mungesa e eksperiencës dhe kulturës ekonomike, shkalla e lartë e pagesave CASH, cilësia e ulët e standardeve të kontabilitetit dhe auditimit, shkalla e lartë e burokracisë, shkalla e lartë e abuzivitetit dhe korrupsionit të administratës publike, konkurrenca e pandershme për shkak të lidhjeve nepotike apo korruptive me qeverisjen vendore apo qendrore. Situata politike a është në gjendje të garantojë terrenin e duhur për të vënë në zbatim një falje masive të detyrimeve fiskale? Në përgjithësi amnistitë mund të sjellin efekte të pritshme më të mira kur ato kryhen në ambiente të qeta politike dhe ekonomike. Asnjë parti politike nuk duhet ta bëjë amnistinë fiskale pjesë të betejës politike. Qeveria nuk duhet ta shesë si një dhuratë që u bën bizneseve e individëve, dhe opozita nuk duhet ta kthejë në një debat me qëllim përfitimin politik. Ndërkohë që një amnisti e mundshme duhet parashtruar me shumë kujdes në funksion të formalizimit të ekonomisë. Në rast se nuk do arrijmë të plotësojmë paraprakisht terrenin e duhur për zbatimin e amnistisë, mendoj se edhe nuk mund të presim rezultate pozitive. Nuk jam kundër një amnistie fiskale. Jam kundër keqpërdorimit të saj për përfitime politike. Jam kundër mungesës së bashkëpunimit, ekspertizës dhe transparencës me institucionet financiare ndërkombëtare. Në çdo rast amnistie fiskale ne jemi të vetëdijshëm që rrezikohemi nga kostot e fenomenit “moral hazard” (rrezikun-dëmin moral). E domosdoshme është që qeveria ta studiojë dhe ta vërë në zbatim amnistinë përmes një ekspertize tepër të kujdesshme e profesionale. Është e domosdoshme që në këtë kuadër çdo veprim të mbështetet te ekspertiza e Bashkimit Europian, Fondit Monetar, e organeve të tjera, të cilat kanë përvoja të tilla dhe mund të na vijnë shumë në ndihmë. Nuk jam për një amnisti tipike “Made in Albania”. Ne duhet të kufizojmë rreziqet e ripërsëritjes së shpeshtë të amnistive fiskale, duke studiuar përvojat më të mira dhe duke mësuar nga dështimet e vendeve të tjera. Nuk jam kundër një amnistie fiskale. Jam kundër keqpërdorimit të saj për përfitime politike. Jam kundër mungesës së bashkëpunimit, ekspertizës dhe transparencës me institucionet financiare ndërkombëtare Cilat do të qenë përfitimet në planin praktik? Ekziston një korrelacion mes pasurisë që kërkon të formalizohet dhe shkallës së lartë të informalitetit ekonomik. Sa më e lartë shkalla e informalitetit aq më e madhe potencialisht pasuria që mund të formalizohet. Më kryesorja është gjallërimi i kapitaleve të fjetura. Nga ana tjetër, duke i bazuar përllogaritjet te burime e aktive reale e të ligjshme, edhe vetë kompanitë do të ndiheshin më të shëndetshme e më të prirura për investime të reja. Po ashtu do të paguanin më shumë detyrime, të cilat përkthehen në të ardhura në buxhetin e shtetit. Do të qe një çlirim i rëndësishëm energjish pozitive për biznesin, ashtu si dhe çlirim kapitalesh të vlefshme për gjithë ekonominë. Nuk do doja të hamendësoja mbi sasitë e kapitaleve që do të futeshin në sistem, por them se duhet parë nëse do të arrijnë kuotat 2 deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Çka do të thotë që me një taksë formalizimi 5% do të kemi të ardhura në buxhet nga 1 deri në 2.5% të PBB-së, ndërsa me një taksim 10% këto të ardhura potenciale mund të jenë nga 2- deri në 5% të PBB-së. Shifrat janë shumë hipotetike. Në shifrat konkrete të të ardhurave nga amnistia fiskale do të veprojë shumë edhe besueshmëria e qeverisë. Të mos harrojmë që këto janë të ardhura jo të përhershme, dhe në kushtet kur një amnisti e dytë duhet të jetë shumë e largët, arkëtimi i tyre duhet të ketë si destinacion kryesor vetëm uljen e deficitit dhe borxhit publik dhe jo investime publike të drejtpërdrejta. Ekonomia duhet të përfitojë më shumë nga futja në qarkullim ekonomik të kapitaleve të formalizuara, se sa nga përdorimi buxhetor i të ardhurave nga taksimi i amnistisë fiskale. Në diskutim për nivelin konkret të taksimit të kapitaleve të formalizuara ka eksperienca të ndryshme, ajo mund të jetë e shkallëzuar sipas shumave dhe sipas natyrës së kapitalit. Për riatdhesimin e të ardhurave dhe fitimeve të depozituara jashtë vendit, niveli i taksimit mund të jetë më i ulët. Niveli taksimit duhet të mbajë parasysh edhe efektin nxitës apo kufizues ndaj informalitetit në një këndvështrim afatgjatë.