Gazeta Telegraf: Speciale Speciale ================================================================================ Ëngjell Musai, Drejtor i gazetës “Telegraf” on 26/01/2012 16:03:00 Dorëheqja e Burgajt dhe mandati i deputetëve socialistë U desh të kalonte një vit nga demonstrata e dhunshme, por edhe nga vrasjet e katër protestuesve, që organi më i specializuar dhe më prestigjioz në botë, FBI, të zbardhte të vërtetën dhe të ofronte prova të pakundërshtueshme balistike në lidhje me armët, plumbat, e të cilave sollën pasojën tragjike për katër qytetarët protestues në bulevard. Menjëherë pas këtyre provave Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama në prani edhe të numrit një të diplomacisë së SHBA-ve, ambasadorit Arvizu, lëshoi urdhër- arrestet e para duke lënë të kuptohej se pista e këtyre arrestimeve do të zgjerohej, jo vetëm ndaj atyre që ishin në mbrojtje të institucioneve dhe që me veprimet e tyre i tejkaluan elementët e mbrojtjes së nevojshme, por edhe ndaj organizatorëve të protestës, të cilët kishin për detyrë të respektonin dhe të mbanin nën kontroll turmën e protestuesve. Sigurisht që, ne nuk do merremi se kush më pak dhe kush më shumë janë fajtorët e vërtetë, pasi atë të drejtë e kanë organet e hetimit dhe janë gjykatat ato që do të japin vlerësimin përfundimtar. Madje, nuk do merremi as me lajmet e para pak ditëve, ku të gjithë tregonin për drekat apo darkat e Berishës e Ramës me ambasadorin Arvizu, ku qëllimi i vërtetë i këtij të fundit ishte që t’u mësonte dy liderëve se, kur flasin ekspertët, të gjithë duhet të heshtin dhe të respektojnë ligjin. Por le të kthehemi tek ekzekutimit i urdhrit të Kryeprokurores Ina Rama. Megjithëse kanë kaluar 48 orë nga ekzekutimi i urdhër- arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Përgjithshme për ngjarjet e 21 Janarit, drejtuesi më i lartë i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, të paktën moralisht duhej që të jepte dorëheqjen në shenjë pendese për atë urdhër të pazbatuar ndaj organit më të lartë të hetimit një vit më parë. Do të përbënte një superskandal, fjala bie nëse në SHBA, drejtuesi më i lartë i policisë nuk do të zbatonte urdhrin e Prokurorit të Përgjithshëm. E njëjta gjë do të thuhej edhe nëse një veprim i tillë do të ndodhte në Gjermani, Francë apo Angli. E pra, sido që të ketë qenë situata, arsyet e vërteta apo detyrimet, sot kreu i policisë duhet të dalë përpara shqiptarëve dhe të kërkojë dorëheqjen për një veprim, i cili nuk e përjashton nga përgjegjësia për moszbatim të urdhrit. Madje, edhe Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha, ish-ministri i Brendshëm në atë kohë duhet të sqarojë pozitën e tij, e cila gjithsesi, nuk e lehtëson pavarësisht, se sot ndodhet si i zgjedhuri legjitim në krye të Bashkisë së Tiranës. Nga ana tjetër edhe deputetët e opozitës kanë përgjegjësinë e tyre. Pavarësisht se, çfarë përbënte në vetvete komisioni hetimor parlamentar, ata ishin të detyruar të çonin përfaqësuesit e tyre dhe të jepnin vlerësimet në lidhje me ngjarjen dhe veprimet apo mosveprimet e tyre. Ata këtë javë do të paraqiten para të njëjtit Parlament, që i kërkoi një vit më parë dhe është e pamoralshme vajtja kokë ulur apo ballëlart sido të jetë e vërteta. Dhe kjo për vet faktin, se mosrespektimi i organit më të lartë të sovranit përbënë mungesë respekti në radhë të parë, për veten e tyre pastaj edhe detyrim ligjor. Pavarësisht t gjitha këtyre që ndodhën, por edhe presioneve apo lëvdatave në vijimësi, organi më i lartë i akuzës nuk duhet të tërhiqet dhe nuk duhet të tolerojë këdo që, me ndërgjegje ka shkelur ligjin pavarësisht pozitës që ka dhe jo vetëm kaq, por ka edhe një të drejtë më shumë, që të kërkojë përgjegjësinë e atyre që nuk zbatuan të njëjtat urdhra, që u zbatuan sot pas një viti.