Gazeta Telegraf: Speciale Speciale ================================================================================ Ëngjëll Musai, Drejtor i “Telegraf” on 28/11/2011 08:55:00 Sot, “Telegraf” mbush 6 vjet 28 Nëntori, kjo ditë e shënuar dhe e madhe e historisë sonë kombëtare, është një ditë e shënuar edhe për gazetën “Telegraf”. Pikërisht në ditën e shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, në 28 Nëntor 2005 nisi udhën e saj të botimit dhe të komunikimit me lexuesit shqiptarë gazeta jonë. Sot “Telegraf”, mbush 6 vjet. Nga kjo ditë, duke parë rrugën që kemi përshkuar, kemi të drejtë të mbushemi me krenari për sakrificat që kemi bërë, pasi kemi arritur të justifikojmë besimin që tregoi lexuesi ndaj këtij zëri krejt të veçantë në shtypin e përditshëm shqiptar. Lexuesit tanë të shumtë e kanë kthyer në domosdoshmëri bashkudhëtimin dhe “kuvendimin” e përditshëm me “Telegrafi”-n. Dhe këta lexues janë nga i gjithë vendi, që nga Konispoli në Tropojë dhe nga Shkodra në Korçë, ndërsa lexuesit në internet të gazetës janë të panumërt dhe nga e gjithë bota, atje ku bashkëkombësit tanë të shumtë punojnë e jetojnë me djersën e ballit. Kjo ka qenë një rrugë rritjeje e pandalshme, përderisa sot ne renditemi ndër mediat më të rëndësishme, me një prirje për ngjitje të mëtejshme. Aspiratat që na kanë udhëhequr në këtë rrugë kanë qenë dhe mbeten një trajtim me nerv dhe paanshmëri e problemeve politike e sociale të shoqërisë shqiptare, të jemi çdo ditë e më shumë pranë halleve e shqetësimeve të qytetarëve, të denoncojmë dallaveret, korrupsionin dhe grabitjet që u bëhen çdo ditë qytetarëve të këtij vendi; të lartësojmë vlerat e traditat tona më të mira të të gjitha kohëve, të mbrojmë idealet e pastra kombëtare, për të cilat kanë luftuar dhe janë përpjekur burrat dhe gratë më të shquara të këtij kombi. Ja përse në këtë gazetë flasin me dëshirë të gjithë: ish-të përndjekurit dhe pensionistët, ish-ushtarakët dhe veteranët e luftës antifashiste, intelektualët dhe politikanët e çdo ngjyre. Mjafton të kujtojmë se miq të përhershëm dhe nga më të mirët e gazetës sonë janë: Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Ismail Kadare, Bashkim Hoxha, Kiço Blushi, Sabri Godo, Servet Pëllumbi, Alfred Moisiu, Rexhep Meidani, Aleksandër Meksi, Diana Çuli, Frank Shkreli, Daut Gumeni, Pëllumb Xhufi, Sabit Brokaj, Ymer Minxhozi, Fadil Kepi, Neritan Ceka, Mumtas Dhrami… numri i tyre është jashtëzakonisht i madh dhe ne u kërkojmë ndjesë që nuk mund t’i përmendim të gjithë. Ata janë të përditshëm në faqet e gazetës sonë, herë njëri e herë tjetri, gjithnjë të hapur e me kurajo, të veçantë dhe të papërsëritshëm në origjinalitetin dhe individualitetin e tyre. Një falënderim i veçantë u takon edhe atyre që në këto 6 vjet kanë kontribuar për ecurinë e pandalshme të gazetës. Mirënjohje dhe respekt shprehim sidomos për botuesin Agim Çiraku, i cili ka qenë dhe mbetet promotori kryesor në arritjet e gazetës “Telegraf”. Në këtë ditë të gëzueshme të ditëlindjes së “Telegraf”-it, ne jemi me ata dhe ata janë me ne.