Gazeta Telegraf: Speciale Speciale ================================================================================ Ëngjëll Musai, Drejtor i “Telegraf” on 13/11/2011 08:39:00 Kush i mban peng institucionet e pavarura Klima e rënduar politike dhe lufta për pushtet kanë krijuar një ngërç, i cili më së paku duket në mos miratimin e ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave në Parlament. Interesa personale të politikanëve dhe mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional e detyruan Europën ta lërë vendin jashtë integrimit dhe pasojat i vuan ekonomia dhe qytetarët e thjeshtë. Dhe personazhet që krijuan këtë situatë, hanë, pinë, marrin rroga dhe fluturojnë nëpër shtetet e huaja me paratë që sigurohen nga gjakun dhe djersa e popullit fukara. Dhe nëse qytetarët duan stabilitet, biznesi kërkon një klimë të qetë dhe institucione të konsoliduara, pasi sa më e rënduar të jetë kjo klimë, aq më të rrezikuar janë edhe kompanitë e huaja partnere me investitorët shqiptarë. Është e papranueshme dhe e dëmshme që në krizën globale që ka tronditur edhe ekonomitë më të fuqishme, të paktën ne shqiptarët të keqen të mos e kemi nga vetja. Të zgjedhurit e Parlamentit kanë ardhur në këtë sallë dhe janë mandatuar nga sovrani të menaxhojnë dhe të miratojnë aktet ligjore, të cilat duhet të japin të mira materiale për votuesit dhe jo varfëri. Në këtë kuadër deputetët e Parlamentit, Kuvendi, qeveria dhe institucioni i Presidentit duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët, duke respektuar Kushtetutën për të plotësuar vendet, të cilëve u ka mbaruar mandati dhe jo të çojnë vendin në greminë. Është e patolerueshme që vendi të mbetet pa Avokatin e Popullit. Dhe ky institucion i shërben drejtpërdrejtë hallexhinjve përballë institucioneve shtetërore. Por si duket shteti nuk do të ketë telashe ndaj hesht, por hesht edhe opozita dhe nuk ndihet kreu i shtetit. Nuk mund të konceptohet që shteti të mos arrijë të zgjedhë dhe të plotësojë vendet vakantë të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që, mandati i tyre ka mbaruar. Ata vërtetë mund të ushtrojnë detyrën deri në zëvendësimin e tyre, por jo pafundësisht. Kontrolli i Lartë i Shtetit është në mëshirë të fatit dhe qytetarët apo bizneset shqiptare dhe të huaja që operojnë në vend janë bërë objekt i sulmeve të disa nëpunësve, të cilët janë sulur natë e ditë, ku të rrjepin ndonjë gjë, pasi institucioni është bosh dhe drejtuesit nuk ka të drejtën e firmës për të larguar këta batakçinj. Ndoshta duhej menduar më mirë dhe me kthjelltësi përpara se të propozohet një kandidaturë e caktuar dhe të mos lozin me institucionet e pavarura për të krijuar ngarkesa të tilla që nesër vlerat dhe pakënaqësitë e individëve të shfrytëzohen për qëllime politike. Nuk kishte përse të dërgohej një kandidaturë në Kuvend për kreun e KLSH-së pa analizuar një herë punën e atij që është aktualisht. Dhe nëse ky person ka shkelje dhe ka treguar mungesë të integritetit atëherë të bëhej publike dhe të thuhej se përse ky individë nuk duhet që të rikandidojë. Kjo e thënë më thjesht, do të thotë që një ish-drejtues e kandidon për Guvernator të Bankës, ndërsa kreun e KLSH-së jo. Përse? E pra, është domosdoshmëri që të gjithë drejtuesit e institucioneve të pavarura duhet të japin llogari ose të vlerësohen për punën që kanë bërë gjatë mandatit të tyre. Pak kohë më vonë do jetë radha e vetë Presidentit apo Prokurorit të Përgjithshëm dhe ne prapë në këtë rrugë do të vazhdojmë të ecim. Qytetarët nuk duan servilë në krye të institucioneve, por duan njerëz të përkushtuar dhe të ndershëm. Ligjvënësit, institucioni i kreut të shtetit dhe politika duhet ta kuptojnë që “ushtarët” e bindur janë shumë më të rrezikshëm edhe për vetë ata që pretendojnë se nesër do i kenë në krah, pasi drurët që ata kanë gjetur për të ngritur kasollen e tyre shpejt apo vonë do e rrëzojë edhe flladi më i lehtë i erës që po fryn.