Gazeta Telegraf: Basha ngre Këshillin e të Urtëve Basha ngre Këshillin e të Urtëve ================================================================================ Xhevdet Shehu on 05/08/2011 07:39:00 Nisma/ Kryetari i Bashkisë së kryeqytetit drejt krijimit të një strukture të re ndihmëse Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, ende pa mbushur dy javë në detyrë, duket se e ka mërrë me vrull punën për të realizuar projektet e deklaruara për kryeqytetin. Përveç vënies në eficensë të strukturave bashkiake dhe të minibashkive, nisma më e re e tij ka të bëjë me krijimin e një Këshilli të Urtësh, që do të jetë një organizëm ndihmës dhe këshillimor pranë Kryetarit të Bashkisë. Sipas idesë së Bashës, Këshilli i të Urtëve nuk do të zëvendësojë dhe as eklipsojë Këshillin Bashkiak, por do të kontribuojë në funksionimin sa më të mirë të tij, me anë të ideve dhe mendimeve të pjekura dhe novatore në shërbim të qytetarëve dhe projekteve të Kryetarit të Bashkisë. Për materializimin e kësaj ideje Basha nuk ka pritur gjatë. Para dy ditësh ai është parë në shoqërinë e shkrimtarit dhe politikanit të njohur të së djathtës, Sabri Godo, në një nga lokalet pranë Pallatit të Brigadave. Për rreth dy orë, Basha është konsultuar me Godon mbi përbërjen dhe organizimin e Këshillit të të Urtëve, duke u përpjekur për të shmangur keqkuptimet e mundshme që mund të lindin nga kjo iniciativë. Sipas idesë së Bashës dhe me pëlqimin e Godos, Këshilli i të Urtëve do të ketë një përbërje pluraliste figura të njohura të të gjithë spektrit të politikës dhe nga qarqet intelektuale të kryeqytetit. Godo, i cili e mbështeti fuqimisht Bashën gjatë fushatës për zgjedhjet e 8 Majit, është menduar të jetë në kryesimin e këtij Këshilli. Gjithashtu, një nga figurat që është menduar të bëjë pjesë në Këshillin e ideuar nga Basha është shkrimtari i shquar Dritëro Agolli. Basha është prekur nga telefonata e Dritëroit në ditën e betimit të tij si kryebashkiak, por me këtë gjest jep edhe një besueshmëri më të madhe Këshillit. Nuk dihet se cili do të jetë reagimi i Agollit ndaj kësaj nisme, por ka shumë të ngjarë që Basha të organizojë një takim me shkrimtarin ikonë të Partisë Socialiste dhe të së majtës shqiptare. Ngritja e Këshillit të të Urtëve i jep një staturë të re politike kryebashkiakut Basha, duke i çelur gjithashtu një perspektivë më optimiste në selinë blu. Vizita/ Ministri gjerman i Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit, Dirk Niebel takon Berishën dhe Ramën Niebel: “Shqipëria t’i zgjidhë vetë luhatjet politike” Ministri gjerman i Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit, Dirk Niebel nisi dje një vizitë dyditore në Shqipëri, ku takimin e parë e kreu në kryeministrin, Sali Berisha dhe më pas është takuar në selinë e PS me Edi Ramën dhe përfaqësues të tjerë të kësaj partie. Ndërsa pas takimit me Ramën e Berishën nuk u bë asnjë prononcim për mediat nga ana e ministrit gjerman, z. Niebel, në një konferencë për shtyp në orën 18:00 ka bërë të ditur arsyet e vizitës në Tiranë. "Gjermania vjen në Shqipëri si donatori më i madh në vendet e Ballkanit", - theksoi në fjalën e tij ministri. Ministri garantoi se Gjermania do të mbështesë Shqipërinë në investime private, në sipërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe pika të tjera, që sipas tij do të rrisin cilësinë e jetesës në vend. Por, i pyetur nga gazetarët rreth situatës politike në vend dhe rrugëve që mund t'i japin zgjidhje ngërçit politik, Niebel u shpreh: “Si ministër i një vendi anëtar të BE-së, më lejoni të theksoj në kuadër të bashkëpunimit tonë, se mbështesim Shqipërinë për integrimin në BE, por them se thelbin e këtij procesi duhet ta përcaktojë vetë Shqipëria”. "Gjermania mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, por tempin dhe ritmin e këtij procesi do e përcaktojë vet Shqipëria. Patëm mundësi të vinim theksin rreth faktit që është e rëndësishme bashkëjetesa paqësore. Të rinisë dialogu politik në vend. Një bashkëjetesë paqësore është kusht për zhvillimin ekonomik të vendit. Këto biseda që zhvilluam, ishin dialogje të hapura dhe miqësore”. Këto kanë qenë fjalët me të cilat Niebel ka përmbledhur takimet e një dite në Tiranën zyrtare të këtij fillim gushti. Më tej ai shtoi se “bashkë-loja mes qeverisë dhe opozitës është një element i rëndësishëm i demokracisë së një vendi. Ne mbështesim shqiptarët për integrimin, por luhatjet politike duhen zgjidhur nga vetë shqiptarët”. Madje, ministri Niebel citoi dhe një thënie të një psikologu, sipas tij të njohur “këshillat ndonjëherë mund të jenë dhe goditje”. Takimi me Berishën Zyra për shtyp e kryeministrit bën të dirur në një njoftim për shtyp se që në fillim të takimit, kryeministri Berisha i shprehu z. Niebel falënderimet e thella për ndihmën që qeveria gjermane i ka akorduar Shqipërisë në 20 vitet e fundit, duke mbështetur reformat transformuese të Shqipërisë, si dhe për ndihmën e vazhdueshme në procesin e integrimit evropian. Vlera e ndihmës gjermane në fushat prioritare, në kuadër të bashkëpunimit ekonomik bilateral, arrin në 500 milionë euro, e fokusuar në sektorë shumë të rëndësishëm si energjetika, ujësjellës-kanalizime, arsimi, bujqësia, mbështetja e sektorit ekonomik etj. Ndërkaq, Niebel theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një tregues domethënës i progresit që ka bërë Shqipëria, ndërsa nënvizoi se bashkëpunimi i Shqipërisë me Gjermaninë nuk është më thjesht si me një vend donator, por është një marrëdhënie mes partnerësh. Niebel rikonfirmoi mbështetjen e Gjermanisë në të gjithë procesin e integrimit europian, duke rritur edhe financimet e ardhshme për Shqipërinë. Takimi me Ramën Selia e PS-së bën të ditur në një njoftim për shtyp se, në takim u fol për situatën politike në Shqipëri, për sfidat që shoqërojnë vendin në rrugën drejt integrimit europian, për ndihmën dhe asistencën e Gjermanisë si një ndër partnerët kryesor në rrugën e zhvillimit dhe demokratizimit. Të njëjtat burime bënë të ditur se kryetari i PS-së, Edi Rama, falenderoi qeverinë gjermane për gjithë mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e zhvillimit dhe e konsideroi të domosdoshëm intensifikimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi. Gjithashtu, Rama bëri një ekspoze të situatës politike dhe ekonomike në Shqipëri, duke bërë të njohur qëndrimin e PS në lidhje me situatën aktuale. Një tjetër pikë për të cilën u fol në takim ishte demokracia në vendin tonë dhe konsolidimi i shtetit të së drejtës. Ministri Niebel, nga ana e tij shprehu interes mbi pikëpamjet e opozitës për zhvillimin politik dhe ekonomik të vendit, si dhe hapat që duhet të ndjekë Shqipëria në rrugën e zhvillimit europian. Axhenda Gjatë këtyre 2 ditëve, Niebel pritet të zhvillojë takime me ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço dhe funksionarë të tjerë të lartë të vendit. Në axhendën e vizitës në Shqipëri të Ministrit Federal për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Dirk Niebel, bën pjesë edhe një vizitë në qytetin e Beratit, ku ai do të informohet rreth projektit “Furnizimi me ujë të pijshëm i Shqipërisë së Mesme” si dhe do të marrë pjesë në inagurimin e linjës së ujësjellësit Berat-Kuçovë, ndërtuar në kuadër të këtij projekti, thekson deklarata e ambasadës gjermane në Tiranë. Ministri Dirk Niebel dhe delegacioni, që e shoqëron, do të vizitojnë edhe kalanë dhe qytetin e vjetër të Beratit, te shpallur prej UNESCO-s pjesë e trashëgimisë së kulturore botërore.