Gazeta Telegraf: Kryebashkiaku Basha priti eurodeputetin Grossruck Kryebashkiaku Basha priti eurodeputetin Grossruck ================================================================================ Gazeta Telegraf on 03/08/2011 08:34:00 Takime intensive të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha me diplomatët Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z.Lulzim Basha priti dje, në një takim eurodeputetin austriak si dhe Kryetarin e Grupit të Miqësisë Shqipëri-Austri në parlamentin austriak, z. Volfgang Grossruck. Grossruk e uroi zotin Basha, për detyrën e re dhe i shprehu gadishmërinë, për të bashkëpunuar me administratën e tij, për projekte të ndryshme, veçanërisht në ato për forcimin e kapaciteteve. Z.Basha e falenderoi z.Grossruck, për shprehjen e mbështetjes dhe e siguroi atë, se do të jetë i hapur, për çdo nismë bashkëpunimi. Kryetari i Bashkisë e njohu z.Grossruck, me prioritetet e tij dhe të administratës për zhvillimin e Tiranës, për përmirësimin e cilësisë së jetës si dhe për zgjidhjen e problemeve imediate që ka qyteti. Basha pret ambasadoren gjermane Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha priti në një takim kortezie, ambasadoren e Gjermanisë në Tiranë, Carola Muller-Hotkemper. Zonja Hotkemper e uroi z.Basha, për detyrën dhe i shprehu mbështetjen e qeverisë gjermane, për të bashkëpunuar me Bashkinë e Tiranës, në projekte të përbashkëta. Z.Basha informoi ambasadoren gjermane, në lidhje me prioritetet që ka Bashkia për ti shërbyer qytetarëve në lidhje me shqetësimet që ata kanë. Gjithashtu, z.Basha njohu ambasadoren, me projektet që ka Bashkia, për të përmirësuar cilësinë e jetën në qytet. Duke e falenderuar për mbështetjen, z.Basha siguroi ambasadoren Hotkemper, lidhur me gadishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me qeverinë gjermane, në projekte të ndryshme. Basha pret ambasadoren e Zvicrës Kryetari i Bashkisë së Tiranës priti në një takim kortezie, ambasadoren e Zvicrës në Shqipëri, zonjën Yvana Enzler. Zonja Enzler, pasi e uroi Bashën për detyrën, i shprehu gadishmërinë për bashkëpunimin mes qeverisë së vendit të saj dhe Bashkisë së Tiranës, në projekte të ndryshme të përbashkëta. Kryetari i Bashkisë e informoi ambasadoren zvicerane, mbi projektet për zgjidhjen e problemeve të kryeqytetit dhe banorëve të tij, si dhe me vizionin që ai ka, për ta bërë Tiranën një qytet modern europian. Kryetari i Bashkisë e falenderoi ambasadoren, për mbështetjen dhe shprehu vullnetin për të bashkëpunuar me qeverinë zvicerane, në fusha të ndryshme. Topalli: “Zgjedhjet e 8 Majit treguan se demokracia funksionon” Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti dje në takim Zëvendëspresidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Volfgang Grosruk. Pasi e uroi zotin Grosruk për rizgjedhjen e tij në këtë detyrë, Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë për nivelin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe OSBE-së. Zoti Grosruk tha se kjo vizitë, që pritet të realizohet në shtator, është një tregues i rëndësishëm i marrëdhënieve të forta mes dy parlamenteve. Kryetarja e Kuvendit tha se do të ishte një kënaqësi për të dhe për Kuvendin e Shqipërisë vizita e një delegacioni kaq të madh nga parlamenti i Austrisë, vizitë që do të shërbejë në forcimin edhe më tej të bashkëpunimit, jo vetëm parlamentar por edhe mes dy vendeve. Duke u ndalur edhe në zgjedhjet e fundit në Shqipëri, Kryetarja e Kuvendit tha se këto ishin zgjedhjet më të arrira, ku u realizua një nga standardet më të larta të numërimit të çdo vote. “Zgedhjet treguan se në Shqipëri sistemi dhe demokracia funnksionoi dhe vullneti i qytetarëve u lexua”. Biseda më tej u ndal në vijimin e bashkëpunimit parlamentar mes Shqipërisë dhe Austrisë por edhe me Asamblenë Parlamentare të OSBE-së. Penguan zgjedhjet në Shalë, shkon në 6 numri i të arrestuarve Policia e Shkodrës ka arrestuar dje një tjetër person, përgjegjës për pengimin e zhvillimit të zgjedhjeve të pjesshme në komunën Shalë të Shkodrës, ditën e dielë. Sipas njoftimit të policisë së Shkodrës, është ndaluar shtetasi Marash Koçeku, vjeç 40, lindur e banues në fshatin Gimaj, Komuna Shalë, Shkodër, i njohur edhe si organizatori kryesor i pengimit të zhvillimit të zgjedhjeve lokale në Komunën Shalë. Ditën e djeshme janë arrestuar edhe 5 persona në lidhje me këtë ngjarje. Këta persona në momentin kur materialet zgjedhore kanë mbërritur me helikopter, në vendin e quajtur Breg Lumi, të Komunës Shalë, janë vërsulur në drejtim të Komisionerëve, duke bërë kështu bllokimin e komisionerëve dhe të rrugë-kalimeve për tek qëndra e votimit, pasi nuk ishin dakord me komisionerët e caktuar për zgjedhjet vendore në komunën Shalë, Shkodër. Policia e Shkodrës deklaron se, po vazhdon hetimet për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore, e të tjerë autorëve. Rëndohet gjendja në galeri, lë grevën minatori i dytë brenda ditës Një tjetër minator ka lënë grevën dje në Bulqizë pas gjendjes së rënduar shëndetësore. Në ditën e 9 të grevës Liman Isufi ishte i pari që doli jashtë galerive ndërsa ndodhet në spital me aparat oksigjeni dhe në gjendje kritike për jetën. Në orët e pasdites edhe minatori Gentian Ndreu 29 vjeç doli nga galeritë e minierës së Bulqizës për të njëjtat shkaqe. Ndreu u nxorr nga 1 400 m thellësi, ku qëndronte prej 9 ditësh për tu dërguar në spital, pasi gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar ndjeshëm prej ditës së djeshme. Bashkia e Tiranës pezullon 67 ndërtime pa leje Zëdhënësja e Bashkisë, Anila Bisha tregon punën e Policisë Bashkiake për ndërtimet e paligjshme. Policia Bashkiake e Tiranës ka ushtruar kontroll në 72 orët e fundit, në territorin e kryeqytetit dhe ka evidentuar dhe pezulluar, një numër të konsiderueshëm të ndërtimeve pa leje. Në total, numri i ndërtimeve pa leje të konstatuara, është 67. Ndërkohë, aksioni i Policisë Bashkiake vazhdon. Në të gjitha rastet e konstatuara, Policia Bashkiake, në zbatim të ligjit ka ndërmarrë hapat e nevojshëm. Të gjitha rastet e ndërtimit të paligjshëm janë pezulluar. Policia Bashkiake ka konstatuar nga afër, gjendjen dhe ka dorëzuar tek qytetarët akt- kontrollet. Bashkia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve, të distancohen dhe të denoncojnë raste të ndërtimeve pa leje. Bashkia e Tiranës shpreh vendosmërinë, për zbatimin rigoroz të ligjit në rastet e konstatimit të ndërtimeve të paligjshme. Edhe një herë, Bashkia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve, që t’i denoncojnë këto raste, në këtë numër telefoni: 241 94 65. Bashkia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve: Mos ndërtoni pa leje; ndërtimet pa leje nuk do të tolerohen dhe në çdo rast, përgjegjësit do të ballafaqohen me ligjin. Ministri i Jashtëm i Kinës, sot vizitë zyrtare në Shqipëri Mbërrin sot në Tiranë për një vizitë dy ditore ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Popullore të Kinës, Yang Jiechi. Burime të ministrisë shqiptare të Punëve të Jashtme, bëjnë me dije se Yang Jiechi është ftuar të vizitojë Shqipërinë nga Zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, ndërsa Tirana është vendqendrimi i parë në turin e tij në Europë dhe Afrikë. Sipas këtyre burimeve, vizita e Jiechi bëhet në prag të 40- vjetorit të ripranimit të Republikës Popullore të Kinës në OKB, ngjarje për të cilën Kina vazhdon të vlerësojë kontributin e madh të Shqipërisë. Qëllimi i vizitës së tij është forcimi i marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimi ekonomik, për të sjellë një dinamikë të re në lidhjet mes dy popujve. Jiechi do të pritet fillimisht nga homologu i tij Haxhinasto dhe pas do të mbajnë të një konferencë për shtyp në mjediset e MPJ ku do të nënshkruhet edhe një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e turizmit, ndërmjet MTKRS dhe Administratës Kombëtare të Turizmit të Republikës Popullore të Kinës për vitet 2011 – 2013. Ministri i jashtëm kinez do të pritet më 4 gusht në takime të veçanta edhe nga Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Presidenti i Republikës Bamir Topi. Edicioni i 13-të i Panairit të Librit në Vlorë Shoqëria e Librit Shqip Tiranë, Nën kujdesin e z. Shpëtim Gjika, Kryetar i Bashkisë së Vlorës, do të organizohet Panairi 13-të i Librit në periudhën 5 – 12 Gusht 2011, në Shëtitoren pranë Lulishtes së Shkrimtarëve në Skelë, Vlorë. Organizatorë të kësaj veprimtarie janë Bashkia e Vlorës dhe Shoqëria e Librit Shqip, me mbështetjen e Klubit “Petro Marko”, Shoqatës Kulturore Atdhetare “Ismail Qemali”, “Labëria”, Qendrës Kulturore Vlorë, Bibliotekës së Qytetit “Shefqet Musaraj”, etj. Ceremonia e Çeljes së Panairit do të organizohet ditën e dielë, datë 7 Gusht 2011, ora 20.30, në Shëtitoren e Skelës, pranë Lulishtes së Shkrimtarëve, shoqëruar me një program artistik dhe përshëndetjet e rastit nga pjesmarrës dhe të ftuarit. Do të jenë të ftuar shkrimtarë, poetë, akdemikë e personalitete të njohura të jetës publike nga Shqipëria dhe trevat e tjera shqiptare në Rajon. Rreth 50 botuesit pjesmarrës do të sjellin botimet e tyre nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, etj. Ndër botuesit më të njohur kanë shprehur interesimin dhe kanë konfirmuar pjesmarrjen në Panairin e Vlorës. Përmendim shtëpitë botuese: Toena, Onufri, Dudaj, Scanderbeg Books, Bota Shqiptare, Fan Noli, Alb-As, IDK, Akademia e Shkencave e Shqipërisë e shumë të tjera. Në këtë panair do të ekspozojnë librat e tyre edhe disa librari të Vlorës, si dhe do të ketë stenda të veçanta të krijuesve vendas vlonjatë. Vlora, edhe për shkak të interesimit të madh që ka nëkëtë qytet për librin, është i vetmi qytet në botën shqiptare që organizon dy panaire libri brenda një viti: Një në pranverë, në Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe një tjetër gjatë periudhës së pushimeve verore. Parashikohet të ekspozohen rreth 10.000 tituj librash, një pjesë e të cilëve janë botime të reja për lëxuesit vlonjatë dhe pushuesit e shumtë që kanë zgjedhur Vlorën për të kaluar ditët e nxehta të ngushtit. Veç të ftuarve të veçantë që do të bëhen të njohur në ditët në vazhdim, me një numër të konsiderueshëm autorësh vlonjatë do të organizohen takime dhe paraqitje të veprës së tyre. Sipas programit të organizatorëve përmendim: studiuesin Bardhosh Gaçe, shkrimtarët e poetët Hiqmet Meçaj, Miliano Stefa, Myrtëza Mara, Çlirim Hoxha, Feti Brahimi, Nase Jani, Lefter Çipa e shumë të tjerë. Situata në veri, Thaçi përsërit: “S'ka kthim mbrapa” Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci, theksoi se edhe pas zhvillimeve te reja në veri të Kosovës, nuk do të ketë kthim prapa në gjendjen status-quo. Lajmi bëhet publiK nga Radoi Europa e Lirë. Deklaratat e Thacit janë bërë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ku ai iu referua takimit që pati me ndëmjetësin evropian, Robert Kuper, ku Thaci shtoi se “Prishtina zyrtare i ka bërë edhe një herë të qarta vijat e saj të kuqe në dialog me Beogradin”. Respektimi i Kushtetutës së Kosovës, i rezolutës së Kuvendit për bisedime dhe integriteti territorial i vendit janë çështje që, sipas kryeministrit Thaçi, nuk do të diskutohen me autoritetet e Serbisë. Ai tha se "çështja e pikave doganore 1 dhe 31, ndonëse çështje politike dhe elektorale për Serbinë, është ekzistenciale për Kosovën". Thaçi citohet t’i ketë thënë negocaitorit të BE, se Qeveria e Kosovës ka shprehur përkushtimin e saj për integrimet evropiane, mirëpo ky përkushtim, sipas tij, "nuk mund të realizohet përderisa Kosova nuk ka një axhendë të qartë evropiane nga Brukseli zyrtar". NATO dërgon trupa shtesë në Kosovë NATO do të dërgojë trupa shtesë në Kosovë, pas përshkallëzimit të dhunës javën e kaluar. "KFOR-i do të vazhdojë të marrë masat e nevojshme brenda mandatit të tij për një mjedis të qetë dhe të sigurt, në bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in", u tha gazetarëve në Bruksel zëdhënësja e NATO-s, Karmen Romero. “Mesazhi ynë është shumë i qartë: dhuna është e papranueshme. Ne e mirëpresim faktin që situata është qetësuar dhe dialigu është e vetmja zgjidhje për situatën e tanishme”, tha Romero. Situata në veri është përkeqësuar pas aksionit të forcave speciale të Policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31. OKB, seanca e rregullt për Kosovën më 24 gusht Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të diskutojë më 24 gusht gjendjen në Kosovë. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun, do të paraqesë para anëtarëve të Këshillit raportin e rregullt tremujor për Kosovën. Javën e kaluar, organi i OKB-së ka refuzuar thirrjet e Serbisë për një takim të veçantë të Këshillit, ku do të diskutoheshin tensionet në rritje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Greqi, leje qëndrimi biometrike për emigrantët Ministria greke e Punëve të Brendshme dorëzoi në parlament projektligjin "Mbi lejet e qëndrimit të shtetasve të huaj në vend, në kushtet e sigurisë në rritje", njoftojnë mediat greke. Në projektligj parashikohet pajisja e emigrantëve me leje qëndrimi të një tipi të vetëm, përcaktohet procedura e përgatitjes së lejeve në fjalë, parashikohet mundësia e komunikimit të emigrantëve aplikantë me zyrat e shërbimit nëpërmjet postës elektronike si dhe krijimi i njësive lëvizëse për marrjen e të dhënave biometrike, në rastet kur emigranti nuk ka mundësi të paraqitet. Ndërkaq, vlera e pagesës për pajisjen me lejen e re të qëndrimit do të përcaktohet më vonë, me vendim të ministrit të Brendshëm. Projektligji është hartuar në zbatim të udhëzimeve të Bashkimit Europian dhe një nga synimet e tij është që të përshpejtohet sa më shumë që të jetë e mundur procedura e marrjes së të dhënave dhe dorëzimi i lejes së qëndrimit emigrantëve. Për këtë qëllim projektligji parashikon krijimin e qëndrave të shërbimit me një qëndrim, "one stop shop", që do të merret ekskluzivisht me procedurën e lejeve të qëndrimit. Projektligji përmban dispozita edhe për pajisjen me leje qëndrimi të punonjësve sezonalë, të cilët nuk mund të punojnë më shumë se gjashtë muaj brenda një periudhe njëvjeçare. Në projektligj parashikohet se punëdhënësit duhet të paguajnë paraprakisht në arkën e shtetit 150 euro për secilin punonjës sezonal që ka ndërmend të marrë në punë. Haxhinasto: Shqipëria dhe India, rritje të bashkëpunimit ekonomik-tregtar Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti dje në një takim Ambasadorin e Republikës së Indisë në vendin tonë, me rezidencë në Bukuresht, Debashish Chakravarti. Sipas zyrës së shtypit të MPJ-së, ministri Haxhinasto pasi vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, nënvizoi nevojën për ngritjen e dialogut politik. Duke folur për bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve, ai theksoi nevojën për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta ekonomiko-tregtare, të cilat i shërbejnë më shumë njohjes së fushave me interes të ndërsjellë bashkëpunimi. Nga ana e tij, Ambasadori Chakravarti u ndal në mundësitë që ekzistojnë për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, sidomos në fusha si ekonomia, arsimi, teknologjia e lartë, etj. Ai shprehu vlerësimet e Qeverisë Indiane për hapjen e Ambasadës së Shqipërisë në Nju Delhi, e cila u konsiderua prej tij, si një hap kontribues i drejtpërdrejtë për ngritjen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Nga ana e tij ministri Haxhinasto kërkoi përfundimin e marrëveshjeve në fushën konsullore, për liberalizimin e lëvizjes midis dy vendeve. Haxhinasto, duke iu referuar vendimit të GJND-së për pavarësinë e Kosovës, i kërkoi Ambasadorit Chakravarti që vendi i tij të shikojë mundësinë e njohjes së këtij shteti të ri, si një kontribut i drejtpërdrejtë i Indisë për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Ai kërkoi nga pala indiane që të mbështesë Republikën e Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare, veçanërisht ato financiare. Palët gjithashtu, ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit Shqipëri-Indi në organizatat ndërkombëtare si OKB-ja, dhe shkëmbyen pikëpamjet e tyre për reformimin e kësaj organizate.