Gazeta Telegraf: Ethet e 8 Majit i përcillen gushtit Ethet e 8 Majit i përcillen gushtit ================================================================================ Xhevdet Shehu on 01/08/2011 08:16:00 Zgjedhjet vendore/ Dje u mbajtën zgjedhjet e pjesshme vendore në 9 komuna, ndërsa dështuan në Shalë të Shkodrës Dje në ditën e fundit të korrikut, në Shqipëri pati sërish votime. Ishin gjithsej dhjetë komuna, ku pritej të mbaheshin zgjedhjet e pjesshme vendore, të cilat për arsye të ndryshme nuk u arritën të mbaheshin më 8 Maj. Gjithsesi, edhe pse pati kohë të mjaftueshme që këto zgjedhje të kalonin pa probleme, u mësua se ato u mbajtën vetëm në nëntë nga dhjetë komunat. Komuna e Shalës në Shkodër nuk arriti sërish të mbante zgjedhje. Këto zgjedhje përsëri patën ankthin e tyre, edhe pse dihej se nuk do të ndryshonin fatin e rezultatit të 8 majit. Fakti që deputetë të veçantë socialistë dhe demokratë që mbulojnë qarqet përkatëse ku mbaheshin zgjedhjet i ndoqën nga afër këto zgjedhje dhe problematikën e tyre, tregon se po luftohet “dhëmbë për dhëmbë e votë për votë”. Në fakt dita e djeshme, sikurse u mor vesh nga burimet e policisë dhe nga njoftimet që u dhanë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, qe një ditë e qetë votimesh. Mirëpo pikërisht kështu shkoi edhe 8 Maji deri në momentin e mbylljes së procesit të votimit. Problemet filluan menjëherë sa u hapën kutitë dhe filloi procesi i numërimit të votave. Atëherë filloi sherri, një sherr që vazhdon ende dhe që ka thelluar krizën politike në vend. Edhe në rastin e votimeve të djeshme kështu pritet të ndodhë. Këtë pohuan mbrëmë për “Telegraf” edhe nga KQZ-ja, edhe nga rrethet ku u mbajtën votimet. Procesi I numërimit të votave filloi pikërisht në minutat e para të muajit gusht, gjë që do të thotë se “ethet” e 8 majit po I përcillen gushtit. Dhe dihet që ethet e gushtit janë zakonisht të forta, sikurse u ka dalë nami. Mirëpo, duke pasur parasysh faktin se politika është duke pushuar, ethet e gushtit të këtij viti nuk pritet të jenë dhe aq të forta e shqetësuese. Fjala vjen, në ditën e djeshme të mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, i stacionuar si çdo vit në plazhin e Dhërmiut, iu fut dhe theu rekordin e arritur një vit më parë nga ai vet. Thyerja e këtij rekordi në të vërtetë ka disa nëntekste. Dhe nënteksti më i lexueshëm është ai se Berisha është i paarritshëm dhe i pathyeshëm. Nuk e dimë se si e kanë lexuar kundërshtarët e tij politikë lajmin për thyerjen e rekordit në not nga Kryeministri. Kujtim Sulçe: “Jemi optimistë për fitoren në Komunën e Armenit” Kryetari I Partisë Socialiste për Vlorën, Kujtim Sulçe, tha mbrëmë për gazetën “Telegraf” se, përgjithësisht votimi qe i qetë nuk pati ndonjë problem të madh, pavarësisht se pati ato vështirësitë e para të fillimit të procesit. Në një fshat u gjet një fletë mangët në procesverbal, në një fshat tjetër u gjetën 5 fletë të tjera mangët. Nga ato që kemi ndjekur gjithë javës, dhe nga ato që pamë dhe nga raundi i parë i zgjedhjeve mund të them që kemi bindjen që mund ta fitojmë kryetarin e komunës. Ndërsa përsa i përket votimit tjetër që është bërë në qendrën tjetër të Finiqit, që nuk është në administrimin tone, di të them që ka pasur probleme me një vulë, kaq mund të them për atë. Ndërsa pas mesnatës pritet që të dalë rezultati për sa i përket votimit që është zhvilluar. Artan Lazaj: “Kishte interesim më të pakët për të votuar” Anëtari i KQZ-së, Artan Lazaj, tha për “Telegraf”, se, me përjashtim të asaj qendrës së votimit që nuk u zhvillua votimi në Shalë, qendrat e tjera normalisht patën probleme administrative, si humbje vule, apo ndërrime të komisionerëve. Ndërsa duke e krahasuar me raundin e 8 Majit, do të thosha që dihet që përqindja e njerëzve që shkojnë në votime është më e vogël, pasi njerëzit janë më pak të motivuar për të vajtur në zgjedhje. Këto janë deri tani, edhe pse duhet të presim, se tani dalin problematikat gjatë procesit të numërimit, pasi pritet të vijnë rezultatet dhe pritet që të vijnë raportimet nga KZAZ. Po ashtu ka pasur probleme administrative siç thashë dhe më lart që KQZ, i ka zgjedhur, si për shembull ka pasur humbje vulash, apo ka pasur dhe zëvendësime të komisionerëve. Presim, ashtu siç e thashë dhe më lartë, pasi problematika reale ende nuk ka dalë, sepse tani fillojnë të dalin problematikat me procesin e dorëzimit të materialeve. Zgjedhjet e pjesshme, përfundon votimi në 9 komuna, anulohet në Shalë Përfundon procesi i zgjedhjeve në 9 komuna të vendit, ku rreth 36 mijë zgjedhës u thirrën dje për të votuar për të zgjedhur drejtuesit e komunave të vendit, një proces për të cilin u ngritën 102 qendra votimi. Ishin 10 komunat ku do të kryhej ky proces, por në Shalë të Shkodrës nuk u votua pasi materialet zgjedhore, mbërritën në qendrat e votimit, 6 orë nga orari zyrtari i fillimit të votimit ( ora 07:00). KZAZ 42 në Shkodër, nuk kishte dorëzuar materialet zgjedhore pasi komisionerët nuk kishin plotësuar kriteret. Votime u mbajtën në Shllak të Shkodrës, Pishaj dhe Papër të Elbasanit, komuna Mollas e Korçës, në Kolsh të Lezhës, në Armen dhe Finiq të Vlorës, Qendër Skrapar në Qarkun Berat dhe komuna Zall Dardhë në Qarkun Dibër. Zëdhënësi i KQZ-së Leonard Olli deklaroi pas përfundimit të zgjedhjeve se procesi vijoi pothuajse normalisht, ndërsa veçoi rastin e komunës Shalë si më të rëndin, pasi atje nuk u zhvilluan fare zgjedhjet. Olli tha më tej, se atje do të ketë rivotim. Ai përmendi edhe dy incidente në Finiq të Vlorës e Shllak të Shkodrës. “Ngjarja më e rëndë ndodhi në komunën e Shalës ku nuk u zhvilluan zgjedhjet. Pati dy probleme në Finiq dhe Shllak në fillim të votimit, por gjithsesi nuk ishte ajo që kishim shpresuar për sa i përket sjelljeve të subjekteve politike”, tha Olli. Më herët, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, akuzoi forcat politike se po punojnë për të bllokuar procesin e votimit që po zhvillohet sot në dhjetë komuna të vendit. Në fjalën e tij gjatë mbledhjes ku u diskutua mbi procesin, kreu i KQZ-së tha se ka një politikë nga ana e partive për të prishur zgjedhjet në këto komuna. Ristani informoi se gjatë mbrëmjes institucioni që ai drejton ka zhvilluar një mbledhje për të plotësuar emërimin e komisionerëve të qendrave të votimit që ishin bllokuar. Në mbledhjen e sotme u diskutua edhe për ecurinë e procesit në komunën Shllak, në Shkodër, si dhe për vulën e humbur në komunën Finiq të Vlorës. Policia: “Përfundon transportimi i kutive” Strukturat e Policisë së Shtetit në Qarqet Berat, Dibër, Elbasan, Korçë, Lezhë, Shkodër dhe Vlorë, në zbatim të detyrave institucionale në funksion të sigurimit të rendit e të qetësisë publike gjatë procesit të përsëritjes së zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore që u zhvillua ditën e djeshme, me mbylljen e procesit të votimit morën masa dhe u angazhuan për përmbushjen me sukses të fazës tjetër të rëndësishme të detyrave që i ngarkon ligji në kuadër të këtij procesi, që është shoqërimi i kutive të votimit me materialet zgjedhore nga Qendrat e Votimit në Vendet e Numërimit të Votave. Zyra e shtypit e Policisë së Shtetit bëri të ditur rreth orës 22:00 se ky proces ka filluar pas orës 19:00 dhe ka vazhduar normalisht pa pasur asnjë incident. Deri në këto momente, thuhej në njoftim, nga punonjësit e policisë janë shoqëruar dhe dorëzuar në Vendet e Numërimit të Votave të gjitha materialet zgjedhore të Qendrave të Votimit, ku u realizua procesi i përsëritjes së zgjedhjeve gjatë ditës së djeshme, përkatësisht në 9 komuna. Po ashtu u shoqëruan dhe materialet e Qendrave të Votimit të Komunës Shalë, ku me vendim të komisionit përkatës u anulua votimi që ishte parashikuar për t’u zhvilluar sot. Në të gjithë vendin nga punonjësit e Policisë së Shtetit, me përfundimin e procesit të votimit, është kryer shoqërimi i materialeve zgjedhore drejt Vendeve të Numërimit të Votave. Aktualisht nga strukturat e Policisë së Shtetit në Qarqet Berat, Dibër, Elbasan, Korçë, Lezhë, Shkodër dhe Vlorë janë marrë masa për ruajtjen e ambienteve të Vendit të Numërimit të Votave, të cilat janë marrë në ruajtje nga ora 19.00 e ditës së djeshme. Gjatë gjithë ditës së djeshme Policia e Shtetit ishte e angazhuar maksimalisht si në drejtim të ruajtjes së objekteve zgjedhore deri në çeljen e votimit, ashtu dhe në drejtim të garantimit të rendit dhe të qetësisë publike gjatë ditës së votimit. Thaçi-Berisha në Dhërmi: “Ultranacionalizmi serb, me rrezik” Qeveria e Shqipërisë njoftoi se, Kryeministri Berisha pati dje një drekë pune me Kryeministrin e Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, në Dhërmi. Gjatë këtij takimi të dy Kryeministrat biseduan gjerësisht për zhvillimet më të fundit në kufirin verior të Kosovës. Kryeministri Berisha ritheksoi se qeveria shqiptare po e ndjek me shumë vëmendje dhe shqetësim situatën në kufirin verior të Republikës së Kosovës dhe e siguroi zotin Thaçi se ajo mbështet plotësisht vendimet e qeverisë së Kosovës për garantimin e sovranitetit, rendit kushtetues dhe integritetit territorial të saj. Të dy kryeministrat ndanë të njëjtin qëndrim se aktet kriminale në vendkalimet në kufirin verior të Kosovës nuk janë gjë tjetër veçse akte të nxitura dhe të mbështetura nga qarqe ultra nacionaliste të Beogradit të cilat dëshmojnë qartë rrezikun që fantazma e Serbisë së madhe paraqet ende për paqen dhe stabilitetin në rajon. Gjithashtu, Kryeministri Berisha vlerësoi dhe mbështeti vendimin e qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur me reciprocitet embargos disa vjeçare serbe për mallrat e Kosovës dhe e siguroi z. Thaçi se qeveria shqiptare do t’i japë Kosovës të gjitha lehtësirat portuale dhe çdo lehtësi tjetër, për të përballuar embargon e Serbisë ndaj saj me pasoja sa më të vogla. Gjithashtu, Kryeministri Berisha vlerësoi si të domosdoshme uljen e tensionit mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë aspekt, Kryeministri Berisha vlerësoi si shumë të rëndësishëm krijimin e kushteve për vazhdimin me sukses të dialogut dhe negociatave, në kuadrin e procesit të Brukselit, si proces midis palëve të barabarta dhe shumë i rëndësishëm për vendet e tyre, për paqen dhe stabilitetin në rajon. Sot nis muaji i Ramazanit Ne 1 gusht nis muaji i Ramazanit për të gjithë besimtarët myslimanë. Me këtë rast, kreu i Komunitetit Mysliman shqiptar Selim Muça ka uruar të gjithë ata për agjërim te mbarë. “Kaluan ditët dhe muajt dhe erdhi muaji i Ramazanit. Në këtë muaj Zoti i madh shpall amnisti të përgjithshme për njerëzit, është muaji i faljes së gjynaheve. Me këtë rast ju uroj të gjithë besimtarëve dhe jo besimtarëve që të agjërojnë muajin e Ramazanit, në qetësi, në pajtim me njëri-tjetrin në harmoni të plotë mes tyre dhe feve të tjera për të patur gjithnjë të mira dhe begati”, tha Muça. Me anë të një mesazhi publik, Presidetnit Topi u uron të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë kudo që ndodhen, agjërim të lehtë, mbarësi e begati në familjet e tyre. ”Në këtë Muaj të madhërueshëm, solidariteti dhe mirësia njerëzore arrijnë kulmin e tyre, duke na bërë të afërt me njëri-tjetrin për të ndarë jo vetëm gëzimin e besimin në vlerat fetare e njerëzore, por edhe për të kremtuar festat së bashku, pavarësisht besimeve të ndryshme. Muaji i Ramazanit është një provë e vetëpastrimit shpirtëror e një dëshmi e përkushtimit të pastër e të vërtetë ndaj fesë islame kur ju nxirrni edhe më në pah vlerat më të spikatura njerëzore të mirësisë dhe përkrahjes, dashurisë dhe sakrificës për të afërmit e për të gjithë njerëzit në nevojë. Toleranca dhe harmonia fetare, bashkëjetesa paqësore mes feve e kanë shndërruar kombin shqiptar në një shembull të rrallë në botë të këtyre vlerave sa njerëzore dhe shpirtërore”, thotë ndër të tjera mesazhi i kreut të shtetit. Rinis “epidemia” e ndërtimeve pa leje në Tiranë Tranzicioni i gjatë në Bashkinë e Tiranës dhe vakumi i krijuar në kalimin e pushtetit nga njëra administratë në tjetrën, ka krijuar një terren të përshtatshëm për një valë ndërtimesh dhe pushtimesh të hapësirave publike. Janë me dhjetëra ndërtime pa leje, shtesa katesh në pallate, apo rrethime që vihen re në zona të ndryshme të kryeqytetit, ku qytetarë të ndryshëm kanë guxuar sërish të shkelin ligjin dhe të ndërtojnë prona që më pas duhet t’i presë rruga e legalizimit. Apatia e strukturave ndërsa vazhdonte beteja ligjore për kreun e Bashkisë së Tiranës bëri që shumë qytetarë të nxitojnë të ndërtojnë pa leje. Janë me dhjetëra ankesa të qytetarëve të cilët pasi i kanë denoncuar këto fenomene pranë policisë bashkiake ku nuk kanë patur asnjë përgjigje, apo reagim konkret, kanë kërkuar që të denoncojnë publikisht abuzimet e fqinjëve të tyre me pronën publike. Bëhet fjalë për shtesa katesh, rrethime hapësirash publike, pushtime të lulishteve dhe trotuareve nga pronarët e lokaleve etj, të cilat po vazhdojnë ende ndërsa strukturat e bashkisë dhe Inspektoratit Ndërtimor nuk janë bërë eficente. Logjika e të fortit dhe pushtimi i pronës publike po rikthehet në dëm të qytetarëve të thjeshtë dhe taksapagues. Jashtë kamerave ata kërkojnë ndërhyrjen e strukturave të bashkisë dhe shtetit për të frenuar këtë epidemi të re në kryeqytetin shqiptar. Kakavijë, rreth 12 mijë emigrantë në 24 orë Rreth 12 mijë persona dhe 2 700 automjete të ndryshme kanë hyrë në Shqipëri nga dogana e Kakavijës gjatë 24 orëve të fundit, bënë të ditur burime zyrtare nga kjo pikë kufitare. Nga të njëjtat burime mësohet se përkundër fluksit të lartë, nuk janë shënuar radhë dhe pritje të gjata. Për të përballuar numrin e madh të emigrantëve që kthehen në atdhe nga Greqia, pala shqiptare po punon aktualisht me 8 sportele, kurse ajo greke me 4. Zëdhënësi i drejtorisë së Policisë Kufitare në Gjirokastër, Gentian Mullai, tha se drejtuesit e policisë shqiptare në Kakavijë janë në kontakt të vazhdueshëm me krerët grekë te kufirit, të cilët kanë premtuar shtimin e sporteleve dhe të personelit në rast se ato aktualet nuk përballojnë dot fluksin.