Flet Genc Alimehmeti
Kriza globale dhe ekonomia shqiptare. Problemet e biznesit vendas dhe ndryshimet makro-ekonomike
Ajo që bie në sy është se si debati mbahet gjithmonë në një nivel makro, duke u fokusuar vetëm mbi disa faktorë të jashtëm ndaj sistemit biznes”, kështu është shprehur për “Telegraf” Msc. Alimehmeti, kur e kemi pyetur se si i duket panorama e përgjithshme ekonomike vendase e ndikuar nga kriza ekonomike botërore. Në këtë intervistë z. Alimehmeti jep një pikëvështrim ndryshe dhe të ri përsa i përket situatës së vështirë që po kalon ekonomia jonë dhe veçanërisht biznesi privat. Ai tregon se si biznesit shqiptar i mungon aktiviteti i planifikimit dhe kontrollit, i cili patjetër ka efektin e tij në mbarëvajtjen e një biznesi i çfarëdo kategorie qoftë ai. Genc Alimehmeti është Lektor pranë Departamentit të Menaxhimit – Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës; asistent kërkues në Universitetin e Bolonjës dhe Antvverp, Belgjikë. Ai ka punuar në disa kompani italiane, amerikane dhe shqiptare, si konsulent në krijimin dhe implementimin e Sistemeve të Planifikimit dhe Kontrollit; Buxhetimit dhe Auditimit të Brendshëm.
Aktiviteti Planifikim- Kontrollit
Nëpërmjet mekanizmave të planifikimit dhe kontrollit, pas tejkalimit të pragut së intuitës të thjeshtë, kompania përdor pajisje dhe mjete logjike / teknike për të rritur ‘fuqinë’ e ndërhyrjes në aktivitetet e saj. Planifikimi dhe kontrolli ka të bëjë me një teknologji pak a shumë të zhvilluar për të drejtuar aktivitetin e kompanisë të ekspozuar ndaj fenomenit të riskut, dhe si pasojë, jo-kontrollueshmërisë të ngjarjeve.
Bizneset duhet të jenë aktive
Kriza ekonomike e profetizuar nga ekonomistë të ndryshëm mund të kthehet në oportunitet, nëse kompanitë arrijnë të zhvillojnë sisteme informative të cilat mund t’i pajisin ato me një shkallë racionaliteti dhe ndërgjegjësimi për të marrë vendimet e duhura. Pra, fati i ekonomisë shqiptare mund të vendoset nga aftësitë e kompanive për të qenë proaktive, duke përdorur metoda planifikimi dhe kontrolli të aktiviteteve të tyre, duke iu përshtatur dhe përfituar nga ndryshimet e cikleve makro-ekonomike.
-Nëse ekonomia shqiptare do të kalonte nën skanerin e Genc Alimehmetit, cili do të ishte rezultati tij?
Gjendja ekonomike e një vendi nuk mund të përshkruhet lehtësisht dhe në mënyrë të plotë në pak rreshta. Kush ndjek mediat ndërkombëtare dhe kombëtare mund të dëgjojë një mori komentesh, shpeshherë kundërshtuese, mbi ekonominë botërore dhe atë kombëtare. Marrim p.sh., debatin mbi krizën financiare të viteve të fundit. Dëgjohen gjithmonë e më shumë opinione mbi krizën që Shqipëria pret në 2012-ën. Arsyet, të cilat diskutohen janë të shumta, si p.sh.: rritja e debitit publik; ulja e të ardhurave nga jashtë vendit; probleme me sektorin bankar; etj., etj. Ajo që bie në sy është se si debati mbahet gjithmonë në një nivel makro, duke u fokusuar vetëm mbi disa faktorë të jashtëm ndaj sistemit biznes. Kompanitë shqiptare në përgjithësi konsiderohen si reaktive, sistemi i të cilave është pasoje e një sistemi ekonomik jashtë dorës menaxheriale. Nëse kjo është e vërtetë, rrjedhimisht mund të deduktohet që një problem i rëndësishëm i sistemit tonë ekonomik është pasitiviteti i biznesit kundrejt ndryshimeve makro-ekonomike. Një faktor ekzistencial i përbashkët për të gjitha sistemet organike i identifikuar nga Karl Popper, një nga filozofët më të rëndësishëm të 1900-ës, është zhvillimi i kapacitetit për të zgjidhur problemet. Kriza ekonomike e profetizuar nga ekonomistë të ndryshëm mund të kthehet në oportunitet, nëse kompanitë arrijnë të zhvillojnë sisteme informative, të cilat mund t’i pajisin ato me një shkallë racionaliteti dhe ndërgjegjësimi për të marrë vendimet e duhura. Pra, fati i ekonomisë shqiptare mund të vendoset nga aftësitë e kompanive për të qenë proaktive, duke përdorur metoda planifikimi dhe kontrolli të aktiviteteve të tyre, duke iu përshtatur dhe përfituar nga ndryshimet e cikleve makro-ekonomike.
-Biznesi privat është zakonisht ai që ndjen më së shumti pasojat (pozitive apo negative këto) e një krize ekonomike. Mendoni që, suksesi i biznesit shqiptar varet nga instrumentet e Shtetit apo nga mekanizmat të planifikimit dhe kontrollit të vetë kompanive?
Pa diskutim që politikat publike kanë një impakt të rëndësishëm në vazhdueshmërinë e aktivitetit të një biznesi. Shteti luan një rol themelor në mbështetjen e bizneseve ekzistues dhe në nxitjen e bizneseve të reja. Sidoqoftë, ajo që unë do doja të diskutoja, nuk është roli i Shtetit në ekonominë shqiptare, por aftësia e bizneseve për t’iu përshtatur mjedisit me anën e mjeteve të planifikimit dhe kontrollit, si aftësi për të kontrolluar me sukses riskun e aktivitetit të biznesit. Ky mund të jetë çelësi i suksesit në këto momente dyshimi mbi ecurinë e ekonomisë Shqiptare. Në ditët e sotme, Shqipëria karakterizohet nga biznesi i vogël dhe i mesëm që drejtohet nga sipërmarrës të cilët arrijnë të menaxhojnë kompleksitetin e kompanive të tyre kryesisht me intuitë. Nëse suksesi i një kompanie shtyn domosdomërisht drejt rritjes progresive të biznesit, kjo e fundit shtyn në mënyrë të pashmangshme në rritjen e kompleksitetit dhe problemeve, me të cilat duhet të përballet sipërmarrësi dhe menaxherët. Sistemet e sotme informative në dispozicion të kompanive janë të papërshtatshme për t’u përballur me rritjen e kërkesës për informacion të vlefshëm dhe në kohën e duhur. Flukset informative kryesore ekonomike-financiare të cilat marrin kompanitë shqiptare, janë kryesisht nga bilanci, i cili nuk arrin të japi një informacion të plotë dhe në kohë efektive për të planifikuar dhe për të marrë vendimet e duhura. Kompanitë e suksesshme do të jenë ato, të cilat do të arrijnë të projektojnë apo implementojnë sisteme informative menaxheriale inovative si: analizë kostosh; buxhet ekonomik - financiar; matje performance; etj.. Këto sisteme informative mund të rrisin efektivitetin e biznesit duke baraspeshuar mungesën e eficiencës të sistemit makro-ekonomik dhe duke u kthyer kështu në një faktor të rëndësishëm mbijetese dhe suksesi.
-Çfarë nënkuptoni me aktivitetin e “Planifikimit dhe Kontrollit” dhe kur ndihet nevoja për këto mjete menaxheriale?
Nëpërmjet mekanizmave të planifikimit dhe kontrollit, pas tejkalimit të pragut së intuitës të thjeshtë, kompania përdor pajisje dhe mjete logjike / teknike për të rritur ‘fuqinë’ e ndërhyrjes në aktivitetet e saj. Planifikimi dhe kontrolli ka të bëjë me një teknologji pak a shumë të zhvilluar për të drejtuar aktivitetin e kompanisë të ekspozuar ndaj fenomenit të riskut dhe si pasojë, jo-kontrollueshmërisë të ngjarjeve. Një metodë e përshtatshme për kompanitë tona është p.sh., sistemi i buxhetimit. Shpeshherë buxheti pështjellohet me një metodë të thjeshtë matje kostosh, kur në të vërtetë buxheti është një metodë e avancuar, e cila krijon mundësitë për të menduar për të ardhmen duke vendosur linjat strategjike në funksion së arritjes të objektivave, si edhe duke ndihmuar në procesin e formulimit të vendimeve operative. Këto metoda nuk përdoren në kompanitë e vogla, lehtësisht të menaxhueshme nga sipërmarrësit, të cilët shpeshherë shprehen me të drejtë që njohin çdo proces të biznesit të tyre. Nevoja për të planifikuar dhe kontrolluar është në çdo moment, duke filluar që nga lindja e kompanisë, por bëhet e ndjeshme dhe mund të them e nevojshme, në momentin kur rritja progresive të kompanisë shoqërohet me një ulje të vazhdueshme e rezultatit ekonomik. Ky është momenti kritik kur sipërmarrësi kupton që biznesi është jashtë kontrolli dhe ka nevojë për mekanizma planifikimi dhe kontrolli për të stabilizuar parametrat ekonomik-financiar.
-Çfarë i mungon sipas jush biznesit në vend, që bizneset në perëndim zotërojnë, për një performancë sa më eficiente dhe efektive të tij?
Në disa vite që kam punuar si konsulent dhe ekspert mbi sistemet e planifikimit dhe kontrollit në disa kompani italiane, kam vënë re që problematikat me biznesin shqiptar janë shumë të ngjashme. Sipërmarrësit tanë dhe ata italianë bazohen kryesisht mbi intuitën në menaxhimin e biznesit të tyre. Nëse do të krahasoja këto dy kontekste, mund të nënvizoj një ndryshim të rëndësishëm, i cili del në pah në momentin kur shfaqet nevoja për të kaluar kompaninë në një nivel më racional drejtimi. Në Shqipëri mungojnë specialistë të metodave bashkëkohore të planifikimit dhe kontrollit, duke krijuar një vakum të rëndësishëm për bizneset shqiptare, të cilat nuk arrijnë të gjejnë njohurinë e duhur në tregun e punës dhe rrjedhimisht nuk arrijnë të aplikojnë metoda te avancuara planifikimi dhe kontrolli. Kjo vjen edhe si shkak i mungesës të “kontrollit menaxherial” në kurrikulat e ekonomistëve shqiptarë, të cilët janë më shumë të orientuar nga teknikat e kontabilitetit, ndërkohë që, kolegët e tyre në Universitete Perëndimore si p.sh., Universiteti i Bolonjës, kanë një formim të orientuar kryesisht mbi sistemet e planifikimit dhe kontrollit menaxherial (fushat ekstra-kontabël).
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj