2012-një vit tjetër më i vështirë
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” studiuesi i ekonomisë Luan Shahollari
Qeveria e ka “harruar” programin e saj të miratuar në Kuvend në shtator 2009, sipas të cilit do t’i kalonte shpejt efektet e krizës botërore dhe do t’i rikthehej ritmeve të larta të rritjes ekonomike që në vitin 2010. Kjo, përbënte një domosdoshmëri pasi “Vetëm një rritje e shpejtë ekonomike do të mundësojë punësimin e 160 mijë qytetarëve”. Kështu është shprehur në një intervistë për gazetën “Telegraf” studiuesi i njohur i ekonomisë Luan Shahollari
-Kryeministri dhe qeveritarë të tjerë vazhdojnë të përmendin se ekonomia nuk është në krizë se ka rritje, madje se lemë shumë vende mbrapa. Cili është mendimi juaj?
-Ndryshe nga veprimtaria e qeverive dhe e institucioneve ndërkombëtare, ku punohet me shqetësim për të zgjidhur problemet urgjente të krizës financiare dhe ekonomike që ka përfshirë pjesën më të madhe të botës, qeveria e jonë vazhdon të mburret dhe madje të krahasohet me gjigandë të tillë si Gjermania apo Kina! Për më tepër nuk përfill as këshillat e FMN dhe Bankës Botërore, të specializuar për të monitoruar politikat ekonomike dhe financiare, sido që u duhen dollarët për të plotësuar boshllëqe të buxhetit të shtetit.
Kohë më parë Qeveria nuk pranonte as efektet e krizës financiare botërore mbi vendin tone, kurse tani, për të përligjur masat e ashpra (duke mos u paguar as gjysmën e gjelit të detit pensionistëve) gjithnjë e më shpesh po përdor shprehje shfajësuese si: “si rrjedhojë e krizës”, “për shkak të krizës”, “pasojat e krizës” etj.
Qeveria e ka “harruar” programin e saj të miratuar në Kuvend në shtator 2009, sipas të cilit do t’i kalonte shpejt efektet e krizës botërore dhe do t’i rikthehej ritmeve të larta të rritjes ekonomike që në vitin 2010. Kjo, përbënte një domosdoshmëri pasi “Vetëm një rritje e shpejtë ekonomike do të mundësojë punësimin e 160 mijë qytetarëve”.
Mirëpo, tani gjithkush e ka që të qartë se jo për rritje por bëhet fjalë për ulje të ritmeve ekonomike, jo për hapje, por për mbyllje të vendeve të punës. Tani, gati të gjithë treguesit makroekonomikë si deficiti buxhetor, borxhi publik, inflacioni, shpenzimet etj. janë në apo afër tavanit, gati për të krijuar kriza zinxhir në të gjithë ekonominë dhe financat e vendit.
Pasi dështoi me hartimin e buxheteve mbi fuqitë ekonomike të vendit, gjatë viteve 2010 - 2011 qeveria bëri shkurtime të ndjeshme në buxhetin e shtetit dhe u detyrua të hartojë një buxhet me përmasa të reduktuara për vitin 2012. Pra, brenda dy vjetëve qeveria u kthye nga miratimi i buxheteve-shtesë në buxhetet me shtrëngesë.
Ndonëse është shpejt për t’u shprehur për realizimin apo jo të buxhetit të këtij viti, një gjë duket qartë: kriza financiare botërore vazhdon , perspektiva nuk është pozitive, dërgesat e emigrantëve janë në rënie, kredia po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë. Këtyre faktorëve negative të jashtëm u shtohet edhe rritja e shpenzimeve valutore për të importuar energji për llogari të KESH-it që, me sa duket, do të vazhdojë në pjesën më të madhe të vitit.
Të gjitha këto nuk lenë shteg për mburrje por për masa tepër të bashkërenduara brenda dhe jashtë vendit sidomos me FMN dhe BB me qëllim që shmangen sado pak shpërpjesëtimet në treguesit makroekonomikë. Prandaj,Qeveria duhet të shmangë euforinë tipike që e karakterizon dhe t’i kthehet vlerësimit dhe konkretizimit të këtyre masave
-Sipas Indeksit të Lirisë Ekonomike 2012, të publikuar më 12 janar, del se Shqipëria e ka rritur këtë tregues me 1.1 pikë. Qeveritarë të niveleve të ndryshme, përfshirë edhe Kryeministrin e quajnë këtë si një sukses të radhës.
-Indeksi është një botim vjetor i “The Heritage Foundation”, një qendër e njohur kërkimore në Uashington misioni i të cilës është të mbështesë politikat publike konservatore dhe e The “VVall Street Journa” –një nga gazetat e përditshme kryesore amerikane që del në Nju Jork prej fundit të viteve 1800, e fokusuar mbi biznesin, investimet, paranë, bursën, etj.
Për të matur lirinë ekonomike përdoren 10 komponentë, të shkallëzuar nga 0 deri 100, ku 100 paraqet shkallën më lartë të lirisë. Pikët e të dhjetë komponentëve pastaj mesatarizohen për të dhënë një rezultat të përgjithshëm të lirisë ekonomike për çdo vend. Këto komponentë janë: Liria e biznesit; Liria tregtare; Liria fiskale; Shpenzimet qeveritare; Liria monetare; Liria e investimeve; Liria financiare; Të drejtat pronësore; Liria nga korrupsioni; Liria e punës. Niveli i lirisë ekonomike arriti në 65.1, 1.1 pikë më shumë se viti i kaluar, duke e bërë ekonominë e Shqipërisë të 57 –ën më të lirë midis 179 vendeve të analizuara në Indeksin 2012. Shqipëria u rendit e 26-ta më e lira midis 43 vendeve në rajonin e Europës, dhe mesatarja e saj është sipër mesatares botërore.
Pra, në këtë rast kemi një rritje të vogël, në shkallë mesatare. Qeveritarët vetëkënaqen kur përmendin ndonjë shifër të tillë por “harrojnë” ca përfundime që kalojnë nga njëri botim në tjetrin qysh prej vitit 1995. Kështu për shembull, në këtë botim theksohet se: “Themelet e lirisë ekonomike të Shqipërisë janë gërryer nga mbrojtja e dobët e të drejtave pronësore dhe korrupsioni i përhapur. Vlerësimi i ulët i të drejtave pronësore është gjerësisht rrjedhojë e ndërhyrjeve politike në gjyqësor”. Më poshtë vijon se“ Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfërua të Europës pavarësisht nga mjaft reforma ekonomike dhe politike prej 1992...”
Shqipëria zë vendin e 130-të për lirinë e punës, vendin e 93-të për të drejtat pronësore, vendin e 93-të për lirinë ndaj korrupsionit. Sipas përfundimeve të Indeksit 2012, “Mbrojtja e të drejtave intelektuale është e dobët. Shqipëria është një vend tranzit kryesor për trafikimin e qenieve njerëzore dhe armëve ilegale e narkotikëve”. Prandaj, Qeveria duhet të rrisë efektivitetin aty ku liria ekonomike është në nivel më të ulët dhe jo të shtojë dozën e euforisë nisur nga ecje minimal në ndonjë tregues.
-Prof. Servet Pëllumbi, pak ditë më pare, shtroi nevojën e një PAKTI, apo programi antikrizë, dhe për një filozofi e strategji kombëtare të zhvillimit afatgjatë të Shqipërisë.
-Profesor Pëllumbi e shtron drejt domosdoshmërinë e një marrëveshje mbi-partizane për një program apo strategji kombëtare për të përballuar apo parandaluar pasojat e mëtejshme të krizës botërore dhe sidomos për një zhvillimin afatgjatë të vendit. Kjo çështje është shtruar në forma të ndryshme edhe më parë, në sesione shkencore të organizuara nga institucione jo qeveritare, por nuk ka gjetur përkrahje nga forcat politike, sidomos nga ato në pushtet.
Shkaqet për të mos u marrë vesh midis dy forcave apo grupimeve politike kryesore, që përfaqësojnë dy krahët e majtë/djathtë, si për çdo problem tjetër madhor, shtrihen në llogoret e luftës për pushtet. Në pamje të parë duket si normale që të mos arrihet një “pakt” pasi partitë kanë platforma politike, ekonomike e sociale të ndryshme. Mirëpo vendi ka pësuar dëme të mëdha nga praktikat për të prishur gjithçka e për të filluara çdo gjë nga e para ose nga miratimi i objektivave të parealizueshme. Nga ana tjetër, disa objektiva në fushën e mirëqenies sociale nuk mund të realizohen pa miratuar dhe zbatuar strategji afatgjatë zhvillimi ekonomik të bashkërenduara me ato në nivel lokal dhe rajonal.
Kështu për shembull PD dhe aleatët e saj u angazhuan që brenda kësaj legjislature të hapnin 160 mijë vende të reja pune. Mirëpo, për shkak se Qeveria e “mbështeti” këtë objektiv në forcat e tregut , dhe jo në ndonjë strategji zhvillimi, hapja e vendeve të punës mbeti në letër.
PS, paraprakisht ka parashikuar të hapë (kur të vijë në pushtet) 300 mijë vende të reja pune. Sigurisht, shifra e saktë do të dalë, përmes hartimit të një strategjie zhvillimi në shkallë kombëtare, si produkt i strategjive në çdo bashki e komunë dhe për çdo qark, ku politikat rajonale bashkërendohen dhe harmonizohen me politikën shtetërore.
Ndërsa shpreh dyshime për “pakt” për një strategji kombëtare zhvillimi afat-gjatë nuk mohoj mundësinë e një konsesusi për vepra të veçanta me rëndësi kombëtare. Një rast për t’u, përmendur, ndonëse i rrallë, ishte votimi unanim i deputetëve të Komisionit të ekonomisë për miratimin e kredisë për ndërtimin e tunelit,e rrugës në tërësi Tiranë –Elbasan.
Natyrshëm të ketë mendime dhe veprime të ndryshme për privatizimin e objekteve të ndryshme pronë publike, dhënia me koncesion e hidrocentraleve të vegjël, minierave etj., pasi kjo është rrjedhojë e alternativave të partive politike, por ndërtimi i një vepre me rendësi kombëtare, që sjell pasoja afatgjata në buxhetin e shtetit kërkon një konsensus të gjerë.
Një vepër e tillë, që do t’i sillte në një tryezë të rrumbullakët përfaqësuesit e forcave kryesore politike si dhe të qarqeve shkencore dhe akademike mendoj se do të ishte hapja e një diskutimi të gjerë për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës! Është e tepërt të vesh në dukje rolin dhe rëndësinë që luan energjia elektrike në zhvillimin ekonomik e social të vendit. Aq më tepër kur ajo vjen nga burimet ujore që nuk dëmtojnë mjedisin dhe që kanë efektivitet të lartë të shpenzimeve. Këto, si dhe studimet e kryera dekada më pare, (të rinovuara sa here bëhen tendera) mund të përbëjnë një bazë për të marrë një vendim që të ndahen çdo vit nga 100 milion euro nga buxheti i shtetit për ta ndërtuar këtë vepër, nëse format e tjera do dështojnë edhe në të ardhmen. Të gjithë sektorët e prodhimit dhe infrastrukturës kanë nevoja për mbështetje buxhetore por shtimi i energjisë elektrike përbën një bazë për një zhvillim më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm të tyre si dhe ekonomisë e shoqërisë shqiptare në tërësi.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj