Flet Pajtim Bello
Kriza ekonomike dhe manovrat e dështuara të qeverisë. Rritja e çmimit të ujit dhe mosshpërblimi i pensionistëve
Kjo krizë do të jetë më e rëndë, më gjithëpërfshirëse dhe pa rrugëdalje nga qeveria. Pasojat do shkarkohen mbi qytetarët pa dallim moshe apo statusi, do të shkarkojnë mbi bizneset dhe do të prekin çdo fushë të jetës së vendit”- kështu është shprehur në një intervistë për gazetën “Telegraf’ ish-Ministri i Ekonomisë z. Pajtim Bello, kur e pyetëm për situatën e vështirë ekonomike që po kalon vendi dhe jo vetëm. Viti që vjen duket gjithashtu i vështirë, por mbetet për të pritur dhe shpresuar. Për çështje të tjera si, rritja e çmimit të ujit, mos dhënia e shpërblimit këtë vit për pensionistët dhe recensionin në Europë, flet intervista e më poshtme.
-Europa po përjeton një recension e cila ka pasojat e saj dhe në ngadalësimin e ekonomisë botërore. Dyshohet se ka dhe risqe të mëdha politike, si ndryshimi i lidershipit në vendet e fuqishme dhe perspektiva e paqëndrueshmërisë sociale në Lindjen e Mesme. Duke analizuar këtë situatë, ku gjendet ekonomia shqiptarë në gjithë këtë?
-Kriza e ekonomisë europiane është siç e përshkruat Ju. Vetë vendet anëtare të BE çdo ditë po ballafaqohen me realitetin e vështirë, bëjnë transparencën e ngjarjeve e të faktorëve, propozojnë e kundër propozojnë variante për zgjidhjen e ngërçit sot e në të ardhmen. Gjithsesi këto vende nuk i druhen ndryshimeve politike, siç edhe kanë ndodhur në Greqi, Itali dhe gjetke. Institucionet financiare të BE-së kanë bashkëpunuar ngushtë dhe hapur me institucione të tjera ndërkombëtare si FMN etj.. Ndërkohë qeveritë e vendeve të BE kanë shtuar komunikimin me popullin që ata qeverisin. Për lidershipin e këtyre vendeve ka rëndësi zgjidhja e ngërçit dhe pushteti i një partie apo një grusht njerëzish. Kjo mënyrë veprimi është një faktor themelor, që të bën optimist se situata do të kapërcehet. Ekonomia shqiptare ka marrë plotësisht fytyrën dhe gjendjen e një ekonomie në krizë, kjo jo vetëm tani, por gati një vit e gjysmë. Çështja është se lidershipi ynë nuk pranon të tregojë realitetin, të komunikojë me publikun, me biznesin dhe me institucionet financiare ndërkombëtare për zgjidhjet e mundshme. Në vendin tonë situata do të acarohet, do të rëndohet dhe efektet e saj do të jenë shumë të rënda. Kriza shqiptare do të jetë e veçantë si edhe në shumë raste të tjera, por riparimi i pasojave do të jetë i vështirë dhe me kosto tepër të rëndë. Kjo krizë do të jetë më e rëndë, më gjithëpërfshirëse dhe pa rrugëdalje nga qeveria. Pasojat do shkarkohen mbi qytetarët pa dallim moshe apo statusi, do të shkarkojnë mbi bizneset dhe do të prekin çdo fushë të jetës së vendit.
-Ju flisni për pasoja të drejtpërdrejta të natyrës financiare?
Shkarkimi i pasojave ka karakter financiar, por jo vetëm. Pasojat financiare, bizneset kanë dy vjet që po i vuajnë, mjafton vetëm të kujtosh borxhet që iu ka qeveria në investimet e rrugëve apo gjetkë. Mbi qytetarët pasojat kanë vite që janë shfaqur si, papunësia e lartë, rritja e çmimeve të mallrave të konsumit, rënia e nivelit të jetesës etj. Por pasojat do të jenë në çrregullimin e jetës në tërësi, në shkaktimin e streseve tek kryefamiljaret apo tek fëmijët, në pesimizmin që po pushton brezin e ri për perspektiven e jetës se tyre, në rritjen e numrit të vjedhjeve si burim jetese etj., gjë që është evidentuar ndjeshëm në këtë vit.
-Qeveria ka vendosur të mos japë shpërblim për pensionistët këtë fundvit. Si e shihni këtë vendim? A është tregues se qeveria dhe ekonomia vendase është a-priori në vështirësi?
-Kjo masë aq sa tregon për gjendjen e krizës, më shumë flet për dritëshkurtësinë e qeverisë në raport me krizën. Ndërkohë duket qartë se prekja e shpërblimit për familjet pensioniste është shenjë e një qeverisje jo dorështrënguar, por shpirt katranosur. Dukuritë e krizës janë vërejtur në ndryshimet e buxhetit të shtetit gjatë vitit 2011, duke përkeqësuar ndjeshëm treguesit e tij, por heqja e shpërblimit për pensionistët flet se qeveria kërkon shpëtim duke u kapur në fijen e kashtës. Pra në këtë rast, shkurt kemi dritëshkurtësi në vizion, humbje të arsyes dhe të fillit qeverisës, që paralajmëron mot të vështirë për ekonominë dhe gjithë shqiptarët.
- Si e shihni politikën e rritjes së çmimit të ujit?
Është pa dyshim një veprim i pa mbështetur në arsyetim apo llogaritje ekonomike. Nga njëra anë, shprehet keqmenaxhimi i ujësjellësve dhe në anën tjetër shprehet mungesa e kujdesit për buxhetin e qytetarëve e sidomos të familjeve në nevojë. Cinizmi arrin deri aty sa UKT Tiranë rrit çmimin dhe do ti paguaje qeverisë një shumë të majme për blerjen e Hidrocentralit Lanabregas në Tiranë. Pra përmes një shkelje të disa ligjeve dhe një abuzimi të dukshëm me qytetarët, ndërmerret një rritje e ndjeshme e çmimit të energjisë elektrike. Më në fund mund të përkufizojmë që kemi të bëjmë me një politikë abuzive.
-Emigrantët po kthehen në vend, por ndryshe nga vitet e tjera me më pak para. Kjo ka shkaktuar edhe rënien e euros në treg. Sa mendoni do të zgjasë kjo luhatshmëri e këmbimit valutor?
-Si në çdo vit do të ketë ndikime, por jo vendimtare në këmbimin e euros. Sivjet ndikimi mund të jetë edhe më i vogël, sepse shpenzimet e emigranteve do të bëhen me dorë të shtrënguar, ashtu si edhe nga të gjithë shqiptarët.
-Shkaktarë për frenimin e zhvillimit ekonomik, janë më shumë faktorët e brendshëm apo të jashtëm?
-Shkaktarët kryesorë varen nga faktorët e brendshëm. Ekonomia jonë është një ekonomi tipike, ku mungon tregu i prodhimit të mallrave dhe pikërisht kjo është e keqja më e madhe, sidomos për ringritjen pas krize. Burimet dhe pasuritë natyrore të vendit shfrytëzohen në shkallë shumë të ulët dhe në mënyrën më të keqe të mundshme. Fakti që ne bazohemi në eksportin e krahut të punës, nuk do të thotë që të ngarkojmë vendet e tjera me përgjegjësi për krizën tonë. Apo të ardhurat jo legale nga trafiqet, nuk i takojnë faktorit të jashtëm. Ne shqiptaret duhet të bëhemi më realistë, të shikojmë gjendjen dhe faktorët që mund të garantojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit.
-Në fund të fundit, çfarë mund të thoni për vitin 2011 që po lëmë pas?
-Viti 2011 ishte vit i vështirë, parë në shumë aspekte të jetës së shqiptarëve. Ekonomitë familjare dhe bizneset janë holluar si peri në prag të këputjes. Por ky vit do të mbahet mend për vrasjen e katër shqiptarëve dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve në 21 janar, prej qeverisë së vet. Kjo ngjarje është pragu i fundit që i duhet qeverisë për të shpallur regjimin diktatorial, ose e thënë më troç, është shpallja e këtij regjimi. Ka plot çudira dhe ngjarje të rënda, por le të shohim përpara në vitin që vjen. Unë i uroj shqiptarëve mbarësi për vitin që presim, duke iu thënë gjithashtu që optimizmin për të ardhmen duhet ta kërkojnë tek vetia e tyre.
-
42 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



yte të zezë dhe me sadizëm.
Shum rrespekt lexuesve pos Pajtimit
nga Hasan Shasivari - Kosovari.
Publikoni komentin tuaj