Hyrje | Dosier | Çdo pjesë e saj ruan një histori të tërë

Çdo pjesë e saj ruan një histori të tërë

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Si u entuziazmua ushtaraku i lartë rus kur pa nëndetësen e viteve ‘60 dhe propozimi për ta kthyer në muze

 

 

 

 




Kozllov Valentin Stepanoviç ishte një ndër katër komandantët e nëndetëseve sovjetike, që në gusht të vitit 1958 erdhën nga deti Balltik, për të krijuar, në kuadrin e Traktatit të Varshavës, bazën ushtarako-detare të Pashalimanit, e cila, në fillim të viteve gjashtëdhjetë, u bë burim sherri midis Shqipërisë dhe ish Bashkimit Sovjetik, prej kontradiktave politiko-ideologjike që lindën në ato vite midis udhëheqjeve të Partisë Komuniste të ish Bashkimit Sovjetik dhe Partisë së Punës së Shqipërisë. Ai ishte ndër komandantët më të zot sovjetikë, i cili do të mbahet mend edhe për shumë vite nga veteranët nënujës shqiptarë, kryesisht falë lundrimit historik, që ekuipazhi i nëndetëses C-360, me komandant Kozllov V.S. kreu në dhjetor të vitit 1959, në autonomi të plotë prej 30 ditësh nën ujë, nga Pashalimani në Gjibraltar e anasjelltas. Në këtë lundrim shumë të vështirë morën pjesë edhe nënujësit shqiptarë: Shyqyri Çukaj, Asti Popa, Gëzim Rryta dhe Andrea Katro. Para një viti ai, në moshë 85- vjeçare, ndërroi jetë. Para disa ditësh me telefon u lidha me të shoqen, Valentina Aleksandrovna për ta ngushëlluar për ditën përkujtimore të të shoqit, duke iu lutur që atë ditë ajo, në emër të veteranëve nënujës shqiptarë, të vendoste mbi varrin e tij edhe një buqetë me lule, çka e gëzoi atë pa masë.  Librin, “Në bazën ushtarako-detare të Pashalimanit”, që e shkrova në vitin 2005 për 17 vitet e shërbimit tim si nënujës, ia kisha dërguar edhe Kozllovit V.S., së bashku me shumë fletë të përkthyer në rusisht. Kur ai pa në foto të akostuar në bankinë të 4 nëndetëset e projektit 613, krejtësisht të kuqërremtë nga ndryshku, nga habia, se si kishim arritur t’i mbanim ato gjallë, që nga viti 1961 , kur sovjetikët u larguan përfundimisht nga Pashalimani, na përgëzoi nga zemra të gjithë nënujësit shqiptarë. Në bisedë e sipër ai rekomandoi që shoqata e nënujësve shqiptarë të bëjë çmos që të ruaj një “copëz” të trupit të nëndetëses si muze (sepse, sipas tij, “të ngrëni të tërë nëndetësen mbi tokë, për nga shkalla e vështirësive teknike, është pothuajse e pamundur”). Nisur edhe nga dëshira e madhe e shumë nënujësve shqiptarë, më 1 shtator të vitit 2011 i dërgova z. Sali Berisha, Kryeministër i Shqipërisë, e për dijeni, z. Arben Imami, Ministër i Mbrojtjes një letër, në të cilën, veç tjerash i propozoja: 1. Nëndetëses t’i pritet pjesa e Urës së Komandimit, e cila dallueshëm ngrihet mbi kuvertën e sipërme të nëndetëses. Ajo të merret e të betonohet në cilindo rajon të bregdetit tonë, por sigurisht do të mendoja, si më të arrirë, rajonin e Orikumit, aty ku për afro gjysmë shekulli, në Pashalimanin historik, kanë qenë të bazuar. Ajo zonë aktualisht çdo vit po transformohet në një hapësirë të bukur turistike. 2. Kjo strukturë metalike të ketë të gjithë pajisjet teknike, që asaj i janë vendosur nga ana konstruktive, siç janë: të dy periskopët, timonin e drejtimit vertikal, busullën magnetike, tubin e PDN-së, radioantenat dhe antenat radiollokative e të tjera pajisje që i bashkëngjiten Urës së komandimit, deri tek ËC që përdorej nga nënujësit, kur ajo lundronte mbi ujë.
Sa mbresëlënëse do të ishte për vizitorët e tanishëm e, pse jo, edhe të atyre që do të na pasojnë, kur të njiheshin me këtë relike kaq domethënëse, prej së cilës do të mësonin se vendi ynë ka pasur në Flotën e tij dikur edhe nëndetëse, edhe pse të periudhës komuniste. Në sipërfaqen e kësaj strukture të bollshme metalike mund të shkruhej edhe historia e nënujësve, p.sh, duke filluar nga gdhendja e emrave të nënujësve që kanë dhënë jetën për t’i ruajtur ato me vetëmohim nga mbytja apo zjarri që jo pak, ndër vite, i ka kërcënuar, etj.. Shpresova nga kryeministri dhe sidomos nga zoti Imami të miratonin këtë variant të paraqitjes fizike të historisë nënujëse të Flotës sonë Ushtarako-Detare, por përgjigje nuk pati. Besoj se, një ditë do të realizohet dëshira e atyre mijëra detarëve që shërbyen aty për 40 vjet, por edhe rekomandimi i Kozllov VS,  pak vite më parë, për të pasur një muze të tillë.

Subscribe to comments feed Komente (1 publikuar):

Kastriot ne 18/02/2012 02:43:56
avatar
Edhe pse nënujë jo vetëm që ke marrë frymë,por edhe ke mësuar më shumë.Vetë mendimi juaj fletë shumë.Po kush të të dëgjojë.Sala edhe pse i ka veshët e mëdha nuk dëgjon.Imami si imam,si në teatër dhe në ministri.
total: 1 | Treguar: 1 - 1

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 1 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
0